E mërkurë, 19 Mars, 2025
8.3 C
Pristina

Barella: Sfidat me Gjermaninë, një mundësi për të treguar forcat tona

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

Nicolò Barella, mesfushori i Interit dhe një nga shtyllat e kombëtare së Italisë, ka ndarë mendimet e tij në prag të përballjeve me Gjermaninë në çerekfinalen e Ligës së Kombeve.

Ai ka shprehur qartazi dëshirën për të konkurruar me skuadrat më të mira, duke theksuar se Gjermania është një kundërshtar i fortë. “Që kur isha fëmijë kam ëndërruar të luaja kundër skuadrave të forta si Gjermania,” tha Barella. Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të treguar aftësitë e skuadrës italiane, e cila ka kaluar një periudhë transformimi dhe ka rigjetur besimin e saj.

Barella theksoi se përballja me një ekip si Gjermania është gjithmonë një test i vështirë, por ndjen se Italia është gati për t’u përballur me këtë sfidë. “Ata kanë lojtarë që kanë fituar Champions League dhe janë mësuar të luftojnë për objektiva të mëdha. Do të thosha se janë një nga kombëtaret më të forta në botë, por edhe ne jemi të tillë,” shtoi ai.

Duke folur për atmosferën e tanishme, ai theksoi se ekipi ka rigjetur sigurinë që kishte munguar më parë. “Duam ta shijojmë këtë moment, ku po bëjmë mirë. Na pret një test i bukur, ku fjala kyçe do të jetë argëtimi, diçka që na ka munguar pak,” deklaroi Barella.

Ai gjithashtu e përmendi zhgënjimin e Europianit 2024, duke e lënë pas krahëve si një mësim të çmuar. “Spalletti gjithmonë i ka bërë skuadrat e tij të luajnë mirë. Në Europian nuk ia dolëm, sepse na duhej më shumë kohë për të përvetësuar idetë e tij. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim dhe më duket se rezultatet po shihen,” tha ai.

Një tjetër fokus i rëndësishëm për Barellën është kualifikimi në Botërorin 2026. “Do të bëjmë gjithçka për t’u kualifikuar, pasi e kam përjetuar tashmë dhimbjen e dështimit për t’u kualifikuar në kompeticionin e Katarit. Nuk dua ta përjetoj përsëri këtë zhgënjim,” theksoi ai. Ai theksoi se ekipi ka cilësinë dhe aftësitë për të arritur këtë qëllim.

Përveç përfaqësimit të kombetares, Barella është gjithashtu i përkushtuar për suksesin me Interin. “Na pëlqen të luftojmë në të gjitha frontet, edhe për Kupën e Botës për Klube, pa u kursyer. Duhet të kesh gjithmonë ambicien për ta nisur një kompeticion me qëllimin për të shkuar sa më larg,” tha ai.

Me një mentalitet të tillë dhe një përkushtim të jashtëzakonshëm, Barella dëshiron të fitojë gjithçka. “Dua të fitoj gjithçka që mund të fitohet si me kombëtaren, ashtu edhe me Interin. Nuk ka kuptim të fshihem,” përfundoi ai.

PROMO

Nga Rubrika