Web Analytics

“Dështim në politikën e jashtme e varfërim i qytetarëve” – opozita e quan të dështuar vitin 2023

Botuar nga: InfoKosova

Opozita e ka vlerësuar të dështuar vitin 2023 për Kosovën. Për Partinë Demokratike të Kosovës ky vit është më i dështuari në politikën e jashtme, gjersa për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës ky vit do të mbahet mend që qeveria është munduar me të gjithë mekanizmat e saj të kapë institucionet e pavarura, në veçanti gjyqësorin.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në një konferencë për media vlerësoi se Kosova po përmbyllë vitin më të rëndë dhe më të dështuar në politikën e jashtme, që nga shpallja e pavarësisë, pa njohje, pa anëtarësime në organizata ndërkombëtare, pa avancim të agjendës euro-integruese dhe nën sanksione nga ana e Bashkimit Evropian.

Çitaku, në një konferencë për media tha se politika e jashtme e Kosovës është karakterizuar nga mungesa e vizionit dhe shumë skandale.

“Suksesi i vetëm i kësaj Qeverie është angazhimi i këshilltarëve me paga mijëra euro në muaj, pa asnjë rezultat për Kosovën. Qasja e papërgjegjshme e Qeverisë së Kosovës, kacafytja e hapur dhe publike me aleatët tanë kryesorë, solli reduktimin e ambicieve për Kosovën nga ndërmjetësit e dialogut.

Dhe si rrjedhojë përfunduam me një marrëveshje, e cila nuk është as gjithëpërfshirëse, as finale, e as me njohje reciproke në qendër. Përfunduam me një draft-statut të pranuar nga kryeministri Kurti, i cili në esencë është një Kushtetutë për serbët e Kosovës dhe krijon një sistem paralel brenda Republikës sonë”, theksoi ajo.

Ajo tha se nuk ka njeri me mendje të shëndoshë, i cili do ta donte këtë lloj pasqyre negative në politikën e jashtme.

“Në një vit kur u konkretizua procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, qoftë me miratimin e statusit kandidat, qoftë me hapjen e negociatave për Bosnje Hecegovinën, Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë, aplikacioni i Kosovës mbeti i patrajtuar dhe Kosova vazhdon të mos ketë qasje në qindra miliona euro të fondeve zhvillimore të dedikuara për Ballkanin Perëndimor”, shtoi Çitaku.

Ajo tha se PDK ka ofruar mbështetje në fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, ku Memli Krasniqi dhe zyrtarët e tjerë të partisë, në takimet dhe vizitat e shumta jashtë vendit, kanë insistuar që qytetarët e Kosovës të mos e bartin koston e sjelljes së papërgjegjshme dhe aventureske të qeveritarëve.

“Do të doja që në këtë konferencë të flisnim për tema tjera, sepse sukseseve të Kosovës në politikën e jashtme, duhet t’iu gëzohemi të gjithë. Fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet për të gjetur qoftë edhe një sukses të Kosovës në politikën e jashtme, ishte e pamundur. Realisht, politika e jashtme e Republikës sonë këtë vit ishte inekzistente. Në vitin tjetër me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kjo mendësi rrënuese dhe përçarëse e kësaj Qeverie, do të marrë fund”, tha nënkryetarja e PDK-së.

Edhe për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, viti 2023 është i humbur për Kosovën.

Shefi i Grupit Parlamentar i kësaj partie, Besnik Tahiri, ka thënë se viti 2023 do të mbahet mend si vit kur qeveria është munduar me të gjithë mekanizmat e saj të kapë institucionet e pavarura, në veçanti gjyqësorin.

Tahiri në konferencën e fundvitit, ka thënë se viti 2023 ishte vit që e varfëroi qytetarin.

“Viti 2023 do të mbahet në mend si vit i cili e varfëroi secilin qytetar të Kosovës, pa dallim. Vit i cili e ngriti pasigurinë në vend, që nga aspekti social e deri tek ai i sigurisë”, ka thënë ai.

Tahiri po ashtu ka thënë se 2023-a ishte vit i eksperimentimit.

“Ishte vit i eksperimentimit të shumicës së ministrave dhe dikasterëve që udhëheqin, duke e e kthyer Kosovën ndër vendet e para në listë për rezultatin më të dobët në PISA, në vendin me pagat më të ulëta në sektorin publik në rajon, në mos shpenzimin respektivisht investimin e jo më shumë se një miliardë euro në projekte kapitale dhe me dështim të plotë në politiken e Jashtme dhe subjektivitetin e Kosovës”, ka shtuar Tahiri.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka përdorur të gjitha mekanizmat e saj për kapjen e institucioneve të pavarura.

“2023 do të mbahet si vit kur qeveria është munduar me të gjithë mekanizmat e saj të kapë institucionet e pavarura, në veçanti gjyqësorin. Zhvillimi më i mirë dhe më i mrekullueshëm ne 2024 do të ishte largimi i ksaj qeverie dhe ndalja e dëmit që i bëhet Kosovës”, është shprehur Tahiri. /Telegrafi/

Të FUNDIT