Web Analytics
E diel, 20 Korrik, 2025
32.5 C
Pristina

Drejt konstituimit të Kuvendit të Kosovës: Një javë për të shpëtuar nga kriza

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

Formimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit nuk duket në horizont, përkundër që kanë mbetur edhe shtatë ditë nga 26 korriku – afati i Gjykatës Kushtetuese që obligon deputetët për konstituim të Kuvendit të Kosovës.

Një ditë para vazhdimit të seancës konstituive, në përpjekjen e pesëdhjetë për zgjedhjen e trupave të legjislativit, s’ka shpresë për lëvizje pozitive, shkruan KosovaPress.

Mosdakordimi për arritjen e një marrëveshjeje politike ndërmjet liderit të LVV-së, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, dhe liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në takimin e së shtunës, pritet të sjellë situatën e njëjtë edhe në seancën e së hënës, thonë analistët politikë.

Disfata e vazhdueshme për formimin e legjislaturës ka ngjallur shqetësim te qytetarët, të cilët presin një qeverisje efikase dhe përmbushjen e pritshmërive pas zgjedhjeve.

Mirëpo, sipas analistëve, porositë e aleatëve ndërkombëtarë dhe paparashikueshmëria se çka mund të ndodhë pas 26 korrikut mund të bëjnë që partitë parlamentare të lëvizin nga pozicionet dhe ngërçi në Kuvend të zgjidhet.

Pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja, duke u bërë një shembull i qartë i krizes politike.

Analistja politike, Magbule Shkodra, thotë për KosovaPress se insistimi i LVV-së, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit në emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, po e bllokon daljen nga kriza politike.

Ajo evidenton se ka pak mundësi që gjërat të ndryshojnë nëse nuk ndodhin kompromise reciproke mes partive.

Pas takimit të fundit, ky mungesë konsensusi vazhdon të thellojë krizën, duke bërë që partia e parë të duket e izoluar nga alternativat e tjera politike.

Megjithatë, ajo shpreson se në ditët në vijim, para 26 korrikut, mund të ketë lëvizje pozitive, siç thotë ajo, nga pozicioni i betonuar i Albin Kurtit për kryeparlamentaren.

“Shpresoj që në ditët e mbetura të shohim një lëvizje nga pozicioni i betonuar i Albin Kurtit për të zgjidhur situatën në Kuvend dhe për të ecur tutje në formimin e institucioneve”, thekson ajo.

Javën e kaluar qëndroi në Kosovë zyrtari i lartë amerikan, Brendan Hanrahan, i cili takoi përfaqësuesit e partive parlamentare.

E sipas Shkodrës, i njëjti, por edhe zërat e shtuar të korit diplomatik në Kosovë, mund të bëjnë që partitë t’i japin fund krizës politike.

“Po shpresoj që ai ka sjellë edhe një mesazh tjetër dhe nuk ka qenë vetëm një takim kurtuazie, dhe besoj se duhet të jetë i lidhur me çështje të rëndësisë së sigurisë strategjike për rajonin. Po shpresoj se iu ka bërë të ditur sa e rëndësishme është të lëvizet nga këto pozita ku ka mbetur Kosova”, shton ajo.

Kuvendi të shtunën dështoi për herë të 49-të në konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka nxjerrë vendim ku obligon deputetët që deri më 26 korrik të konstituojnë legjislaturën e nëntë, mirëpo nuk ka përmendur nëse pasojë e kësaj janë zgjedhjet e reja.

Në lidhje me këtë, juristi Ardian Bajraktari thotë për KosovaPress se është momenti i fundit për reflektim dhe formim të institucioneve, veçanërisht pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

“Vlerësoj që është një moment i rëndësishëm për të reflektuar në drejtim të qartësimit të kësaj situate dhe në drejtim të jetësimit të vullnetit sa më parë të qytetarëve të shprehur në zgjedhje.”

Ai thekson se përgjegjësia kryesore i takon subjekteve më të mëdha politike në vend, duke bërë thirrje që të gjejnë një vendim të përbashkët për të tejkaluar këtë krizë.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, ka të drejtën e propozimit të kryekuvendarit, mirëpo e propozuara e tyre, Albulena Haxhiu, në gjashtë raste në votim të hapur nuk ka marrë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post.

Si pasojë e kësaj, kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i kësaj partie, Avni Dehari, ka marrë vendim që zgjedhja e kryeparlamentarit të bëhet në votim të fshehtë.

Një gjë e tillë nuk po pranohet nga partitë që deri tani ishin në opozitë.

Të njëjtat nuk po votojnë për formimin e komisionit verifikues, pasi sipas tyre ai është antikushtetues.

Koha po kalon dhe tensionet vazhdojnë të rriten, derisa qytetarët presin një zgjidhje për krizën politike.

Çfarë do të ndodhë pas 26 korrikut mbetet për tu parë, megjithatë është e qartë se rruga drejt formimit të institucioneve të reja është e mbushur me pengesa dhe sfida serioze.

Shpresojmë të shohim shumë shpejt një situatë më të qartë dhe një angazhim të rritur nga liderët politikë.

Çfarë mendoni për situatën aktuale? Komento edhe ti në Facebook – bashkohu diskutimit!

PROMO

Nga Rubrika