“Valsi” i pankinave, që ka nisur tashmë të ndezë tregun e transferimeve me “flakët” e para, do të arrijë fazën vendimtare në 40 ditët e ardhshme. Nga tani deri në fund të majit, Roma dhe Milani janë zyrtarisht të thirrura të zgjedhin trajnerin e ri, ndërsa Napoli dhe Atalanta varen nga dëshirat e Contes dhe Gasperinit. Juventusi, ndërkohë, po reflekton mbi Igor Tudor, ndikimi i të cilit ka qenë ai i një stabilizuesi në një ambient që kishte qenë shumë i trazuar deri para pak javësh.
Por ky “vals” pankinash nuk do të prekë vetëm klubet italiane. Humbja e Real Madridit në çerekfinalet e Champions League ka shkaktuar tronditje të madhe në të ardhmen e pankinave europiane. Aventura e dytë e Carlo Ancelottit në pankinën më prestigjioze të botës është drejt fundit, teksa sot ka një favorit të madh për ta pasuar: Xabi Alonso.
“Po planifikojmë përgatitjet dhe skuadrën me të. Nëse në fund do të largohet, duhet ta sqarojmë me të në javët e ardhshme. Nuk mund të presim fundin e sezonit, ka shumë implikime në planifikim. Çfarë më thotë instinkti? Shanset janë 50 me 50”, – ka thënë CEO i Bayer Leverkusen, Fernando Carro, për të ardhmen e trajnerit spanjoll. Nga Madridi janë të sigurt: thirrja për të nga Reali do të vijë, në atë moment edhe Leverkuseni do të detyrohet të kërkojë një trajner të ri.
Pas një sezoni që mund të shpëtohet vetëm nëse fitohet “Europa League”, pritet që Ange Postecoglou të largohet nga Tottenhami. Ai është një nga trajnerët e mëdhenj të Premier League, që ndodhet në rrezik. Tjetri është italiani Enzo Maresca, i cili mund të largohet nga Chelsea nëse nuk arrin të përfundojë në ‘top 5’ të kampionatit.
Në lidhje me trajnerët italianë dhe kualifikimin në Champions League, duhet ndjekur nga afër çfarë do të ndodhë me Roberto De Zerbin. Olympique Marseille i tij ka fituar sërish kundër Montpellier dhe sot ndodhet në vend të dytë, por kualifikimi në Champions mbetet objektiv që duhet arritur. Bashkë me të vjen edhe konfirmimi i italianit si trajner.
Ai që mund të vendosë të largohet pas fitimit të titullit është Francesco Farioli. Në një Ajax teknikisht modest, trajneri i ri italian po thyen rekord pas rekordi, vetëm tri ditë më parë pësoi humbjen e parë në ‘Eredivisie’ për vitin 2025. Ajax ndodhet +9 pikë përpara PSV-së (me një ndeshje më shumë), një klub që e kishte nisur sezonin si favorit për titull, por rrezikon ta përfundojë pa asnjë trofe. Situatë që mund të çojë në largimin e trajnerit Peter Bosz.