Mbrojtësi i Bayern Munich, Eric Dier, ka ndarë mendimet e tij mbi atmosferën unike te bavarezët, veçanërisht duke e çmuar portierin Manuel Neuer, i cili e konsideron si më të mirin në botë.
Dier foli në kanalet zyrtare të klubit, duke theksuar: “Bayerni është një klub kaq i madh, saqë praktikisht e di tashmë çfarë të presësh. Është bukur kur imazhi që klubi transmeton jashtë përputhet me realitetin brenda tij. Ato që më kanë bërë përshtypje veçanërisht janë netët e Champions League në ‘Allianz Arena’. Atmosfera dhe e gjithë skena janë të jashtëzakonshme, edhe për lojtarët që kanë parë shumë gjatë karrierës së tyre. Janë ato momente kur kupton vërtet karizmën e këtij klubi.”
Dier gjithashtu komentoi mbi rolin e mbrojtësit dhe si duhet të interpretohet ai në fushë.
“Ka shumë stile të ndryshme. Mund të jesh një mbrojtës i shkëlqyer në mënyra të ndryshme. Për mua, agresiviteti i kontrolluar është thelbësor. Trajneri ynë e përmend shpesh këtë dhe më pëlqen ky përshkrim. Të jesh agresiv, por me mendje të ftohtë. Mënyra si e shoh unë është që një qendërmbrojtës duhet të mendojë gjithmonë në mënyrë negative para së gjithash, të parashikojë gjithmonë skenarin më të keq. Vetëm atëherë je i përgatitur për ta parandaluar.”
Ai vazhdoi të ndante se si ka ndryshuar ky rol gjatë viteve, duke theksuar se futbolli është në zhvillim të vazhdueshëm. “Nuk mund të krahasosh breza të ndryshëm, sepse futbolli është në zhvillim të vazhdueshëm. Sidomos në 10 vitet e fundit, loja ka ndryshuar shumë. Lojtarët e rinj sot janë më të mëdhenj, më të shpejtë, më të fortë dhe shpesh teknikisht më të stërvitur se në të kaluarën. Edhe mbrojtja ka ndryshuar. Ekipet mbrohen më lart, marrin më shumë rreziqe dhe portierë si Manuel Neuer e kanë revolucionarizuar rolin e tyre, duke u bërë pjesë aktive e lojës.”
Dier e vazhdoi bisedën duke theksuar se kërkesat për çdo pozitë janë gjithnjë e më të mëdha dhe se është i sigurtë se futbolli do të vazhdojë të evoluojë. “Kërkesat janë gjithnjë e më të mëdha për çdo pozicion, jam i sigurt që futbolli do të vazhdojë të evoluojë,” tha ai.
Ndër lojtari më të njohur që ai ka admiruar është dhe Joshua Kimmich, për të cilin ai ka fjalë të mira.
“Joshua Kimmich është i jashtëzakonshëm për t’u parë çdo ditë: qëndrueshmëria e tij, qëndrimi, përgatitja dhe mënyra si punon në çdo seancë stërvitore. E njëjta gjë vlen edhe për Thomas Müller. Ai mishëron klubin në një mënyrë unike. Përçon atë që do të thotë të jesh pjesë e Bayernit përmes sjelljes, punës në stërvitje dhe ndeshjeve.”
Dier përfundoi bisedën e tij duke lavdëruar Neuerin sërish, duke thënë: “Dhe pastaj është Manuel Neuer. Më ka habitur vërtet, jo për cilësinë e tij, sepse këtë e dija, por për qetësinë e madhe. Ai transmeton një qetësi të jashtëzakonshme. Për më tepër, ka një pasion të jashtëzakonshëm për stërvitjen, pavarësisht se është 38 vjeç. Kjo shpjegon edhe pse vazhdon të luajë në këtë nivel. Për mua është portieri më i mirë që kam parë ndonjëherë.”
Këto fjalë vijnë në një kohë kur Bayern Munich po përballen me sfida të mëdha në fushën e lojës, dhe Dier, së bashku me shokët e tij të skuadrës, është gati të përballojë çdo sfidë në mënyrë të dinjitetshme, duke mbajtur frymën e Bayernit gjallë.