Web Analytics
E martë, 12 Gusht, 2025
25.7 C
Pristina

Gjithçka që dihet rreth vrasjes së trefishtë në Gjilan – Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij ende në arrati!

Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Gjilanit të dielën, ku tre persona mbetën të vrarë dhe një tjetër u plagos rëndë në një sulm me armë zjarri që ndodhi rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova”.

Autoritetet kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një vrasje të trefishtë, ndërsa hetimet janë në zhvillim e sipër.

Të vdekur kanë mbetur S.H, E.H dhe A.H.

Sipas Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, një person është arrestuar në vendngjarje, ndërsa tre të dyshuar të tjerë – Mefail Shkodra (53 vjeç) dhe djemtë e tij, Edonis (25) dhe Engjull Shkodra (22) – janë shpallur në kërkim dhe ndodhen ende në arrati.

I plagosuri, është transportuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Nga QKUK bëjnë të ditur se ai po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale dhe se ndodhet në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme.

Zyrtarë policorë dhe prokurorë mbajtën një konferencë për media, ku u dhanë detaje të rëndësishme për të kaluarën kriminale të Mefail Shkodrës.

Sipas deklaratave zyrtare, ai është i njohur për më shumë se 30 raste të ndryshme penale, përfshirë fajde, shantazh, pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal, mashtrim, kërcënim, sulm dhe kundërvajtje në trafik.

Policia ka publikuar fotografitë e Mefail, Edonis dhe Engjull Shkodrës dhe ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për çdo informacion që mund të çojë në lokalizimin e tyre. Ndërkohë, për tre të kërkuarit është bërë kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë njoftuar të gjitha pikat kufitare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi pas ngjarjes duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe kërkoi veprim urgjent nga organet e rendit dhe drejtësisë.

Ajo theksoi nevojën për të sjellë autorët para drejtësisë dhe për të ndalur me vendosmëri veprimet kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.

Për rastin ka reaguar edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni. Ai e quajti këtë akt të dhunshëm e të papranueshëm derisa u shprehi ngushëllime familjarëve të viktimave.

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka quajtur ngjarjen një tjetër alarm për pasigurinë dhe rritjen e kriminalitetit në Kosovë, duke kërkuar nga institucionet veprim të shpejtë për rikthimin e sigurisë dhe besimit të qytetarëve.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjithashtu reagoi për vrasjen e trefishtë, duke thënë se është momenti i fundit që institucionet e drejtësisë të reflektojnë e të mos ketë tolerim për asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale.

Hetimet për këtë rast të rëndë po vazhdojnë, ndërsa shpresohet që autoritetet të arrijnë të kapin të dyshuarit në një kohë sa më të shpejtë dhe të zbardhin plotësisht motivet e kësaj vrasjeje që ka tronditur opinionin publik në Kosovë. /Telegrafi/

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

PROMO

Nga Rubrika