Hulumtuesi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme që shpall të paligjshëm një vendim të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati lidhur me arkat fiskale.
Sipas Cakollit, Gjykata Supreme e qartësoi përfundimisht se “(ish-)ministrat, tashmë me mandat si deputetë, nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksione ekzekutive pas certifikimit të rezultateve nga KQZ”.
“Çdo vendim i marrë prej tyre pas 27 marsit është nul dhe bie ndesh me Kushtetutën, si dhe parimin e ndarjes së pushteteve. Po ashtu, Gjykata konfirmoi se anëtarët e Qeverisë nuk mund të marrin vendime, sepse teknikisht Qeveria aktuale nuk ka më mandat për t’i miratuar ato”, ka shkruar Cakolli.
Cakolli thekson se “Këtë e kemi thënë prej muajsh. Megjithatë, pushteti ka këmbëngulur të sillet sikur kjo situatë nuk ekziston. Kryeministri dhe ministrat e certifikuar si deputetë kanë vazhduar të marrin vendime – jokushtetuese, pa legjitimitet dhe jashtë çdo mbikëqyrjeje parlamentare – duke e shndërruar shkeljen në praktikë”.
Sipas tij, sot nuk ka më trillime juridike.
“Gjykata Supreme e vulosi atë që ka qenë e qartë që nga dita e parë. Nuk mund të ulesh në dy karrige dhe të sillesh sikur s’ka ndodhur asgjë. Çdo ditë e kaluar në këtë shkelje është dëm për institucionet dhe për qytetarët. Mbi të gjitha, është bazë për ndjekje penale”, shkruan ai.
Raprotohet se Gjykata Supreme e ka shfuqizuar udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, me të cilin u pezulluan për 60 ditë shitjet dhe abonimet e arkave fiskale.
Po ashtu thuhet se Udhëzimi administrativ, i nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave më 15 prill të këtij viti, është shpallur i jashtëligjshëm.
Aktgjykimi është nxjerrë më 7 korrik nga një kolegj i gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, i kryesuar nga gjyqtarja Delushe Halimi.
Sipas raportimeve Supremja e ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësve, kompanive Enternet dhe Service Global, të cilat merren me shitjen dhe servisimin e arkave fiskale.
Me këtë vendim, Gjykata Supreme ka forcuar rendin dhe transparentësën ligjore në Kosovë.
Ju ftojmë të ndani mendimet tuaja mbi këtë vendim të rëndësishëm.
Shprehni mendimin tuaj në diskutim.
**Komento edhe ti në Facebook – bashkohu diskutimit!**