Një ngjarje tragjike ka ndodhur të mërkurën në fshatin Zemanic të komunës së Leposaviqit, ku një 16-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me traktor.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 11:00 Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ka njoftuar se një person ishte rrokullisur me traktor dhe dyshohej se ishte pa shenja jete.
Njësitë policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës në vendngjarje.
Viktima është identifikuar si D.P., 16 vjeç. Sipas dëshmive nga vendngjarja i mituri ishte duke tërhequr një lis me traktor kur mjeti është përmbysur, duke i shkaktuar vdekjen.
Prokurori i Shtetit është njoftuar për rastin dhe ka urdhëruar që hetimet të nisin me klasifikimin “vdekje e dyshimtë”. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dorëzuar familjarëve. /Telegrafi/