Në një reagim të drejtpërdrejtë përmes rrjeteve sociale, Luiz Ejlli ka sqaruar një herë e mirë pozicionin e tij përballë thirrjeve të shumta për t’u futur në politikë.
Fituesi i “Big Brother VIP Albania 2” ka zgjedhur t’u qëndrojë besnik artit dhe njeriut, duke refuzuar çdo lloj përfshirjeje në pushtet.
“Shumë më kërkojnë të hyj në politikë… Por unë nuk dua të jem arsyeja pse njerëzit zihen mes tyre,” shkruan ai, duke theksuar se nuk dëshiron të përçajë, por të bashkojë.
Për Luiz-in, politika kërkon ndarje dhe palë, ndërsa ai vetë ka zgjedhur të jetë “krah për të gjithë”. Ai shpreh bindjen se muzika, dashuria dhe fjala që shëron kanë më shumë fuqi se çdo mandat apo zyrë politike.
“Nuk dua pushtet mbi askënd. Dua t’i mbaj duart e lira për të përqafuar, jo për të nënshkruar vendime që lëndojnë”, shkruan këngëtari.
Në përfundim, Luizi u kërkon ndjekësve të tij mirëkuptim nëse zgjedhja e tij për të mos u bërë pjesë e politikës është zhgënjyese për ta.
“Të shumtë janë ata që më kërkojnë të hyj me politikë. Mbase ngaqë më shohin si zë që dëgjohet, apo si një njeri që nuk ka frikë të flasë. Unë nuk kam ardhur në këtë jetë për të ndarë njerëzit. Por për t’i bashkuar.
Nuk dua të jem arsyeja pse njerëzit zihen mes tyre, kur gjithçka që dua është t’i bëj të buzëqeshin bashkë. Unë besoj te muzika, te dashuria, te forca e një fjale që shëron dhe jo që përçan. Politika kërkon të zgjedhësh një anë. Unë kam zgjedhur njeriun! Nuk dua të je mi një krahu, kur mund të jem krah për të gjithë.
E kam parë se çfarë bën politika me njerëzit. Si ua ndryshon sytë, zemrat, fjalët. Nuk dua pushtet mbi askënd. Dua t’i mbaj duart e lira që të përqafoj, jo të nënshkruaj vendime që lëndojnë.
Dua dua zyrë, dua skenë! Ndaj, më falni nëse ju jam zhgënjyer duke mos u bërë pjesë e politikës. Kjo është mënyra që unë kam zgjedhur për të mbrojtur atë që dua më shumë, njeriun, familjen, artin, fjalën e lirë dhe vetveten”, përfundon shkrimi i Luizit.