Zafir Berisha, kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga koalicioni AAK-Nisma Socialdemokrate ka thënë se është koha për të ndërtuar një shtet të fortë.
Berisha në një postim në Facebook i fton qytetarët që të bashkohen me siç e quan “koalicion i veprave të mëdha 137”. Ai thekson se ky është një moment historik për Kosovën dhe se qytetarët duhet të bashkohen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme.
“Sot, pas gjithë sakrificave të mëdha dhe mundit të pashoq që kemi bërë së bashku, jemi këtu për të ndërtuar një të ardhme të re për Kosovën. Por, liria që arritëm nuk është fundi, është vetëm fillimi. Ka shumë punë për të bërë, dhe unë besoj se e gjithë kjo fillon me ne,” tha Berisha.
Berisha promovon ide që e drejta dhe mundësitë duhet të jenë të barabarta për çdo qytetar, dhe se kjo është esenca e një shteti të fortë. “Tani është koha për të ndërtuar një shtet të fortë, të drejtë dhe të bashkuar, ku çdo qytetar, pa dallim, të ketë mundësi të barabarta dhe një jetë më të mirë,” thekson ai.
Ai shprehet se kjo është një betejë e re, një betejë për zhvillim, drejtësi dhe prosperitet, duke theksuar se këto janë vlera për të cilat duhet të luftojmë së bashku. “Kjo është një thirrje për të gjithë qytetarët: të bashkohen për të mbrojtur atë që kemi arritur dhe për të siguruar një të ardhme të denjë për fëmijët tanë,” u shpreh ai.
Berisha gjithashtu përmendi rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në arritjen e lirisë, duke thënë se sot është koha të luftojmë për një Kosovë të zhvilluar dhe të integruar në strukturat euroatlantike. “UÇK-ja luftoi për liri, dhe sot ne do të luftojmë për një Kosovë më të mirë, më të fortë dhe më të zhvilluar,” përfundoi ai.
Ai nxit qytetarët të kontribuojnë për shoqërinë, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të secilit individ në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë. “Është koha për t’u angazhuar, për të bërë ndryshimin. Secili prej nesh mund të bëjë një ndikim, dhe së bashku mund të arrijmë qëllimet e mëdha për Kosovën,” thekson ai.
Për Berishën, integrimi në Bashkimin Evropian dhe NATO është një prioritet i lartë dhe është një proces që kërkon përkushtim dhe bashkëpunim të të gjithëve. Ai ka theksuar se është i përkushtuar për të punuar në drejtim të arritjes së këtyre qëllimeve.