Andy Byron, drejtori ekzekutiv i kompanisë amerikane të teknologjisë Astronomer, është pezulluar nga detyra pas publikimit të pamjeve virale ku shihej duke u përqafuar me një kolege gjatë një koncerti të grupit Coldplay.
Ngjarja u bë menjëherë objekt diskutimi në rrjetet sociale, duke shkaktuar jo vetëm reagime publike, por edhe pasoja brenda kompanisë.
Vendimi për pezullim u njoftua zyrtarisht mbrëmjen e djeshme, më 18 korrik, nga bordi drejtues i Astronomer.
Pozicioni i Byron është marrë përkohësisht nga bashkëthemeluesi i kompanisë dhe drejtori i produkteve, Pete DeJoy, i cili do të veprojë si CEO i përkohshëm.
Jennifer Vickery, eksperte e marrëdhënieve me publikun dhe themeluese e agjencisë National Strategies PR, deklaroi se rasti përbën një goditje serioze për kompaninë.
Sipas saj, “besimi është thyer dhe morali i punonjësve ka gjasa të pësojë rënie. Reputacioni publik i kompanisë është dëmtuar dhe ka rrezik që klientët dhe investitorët të vënë në dyshim stabilitetin e saj”.
Byron, i cili është një nga figurat kryesore në industrinë e inteligjencës artificiale dhe analizës së të dhënave, mund të përballet me pasoja të rënda edhe në jetën personale.
Mediat kanë raportuar se, nëse ndodh një divorc, ai mund të humbasë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij, që aktualisht vlerësohet rreth 60 milionë paund.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Megan Kerrigan, ka reaguar në mënyrë të tërthortë në rrjetet sociale. Fillimisht ajo hoqi mbiemrin “Byron” nga profili i saj në Facebook, për ta fshirë më pas tërësisht llogarinë. Edhe profili i saj në Instagram është mbyllur.
Pamjet që sollën gjithë këtë situatë u filmuan gjatë një momenti në koncert, ku vokalisti i Coldplay, Chris Martin, tha me humor për çiftin në ekranin gjigant: “Oh, shihini këta të dy. Ose kanë një lidhje jashtëmartesore, ose janë shumë të turpshëm”.
Reagimi i Martin u regjistrua nga fansat dhe u shpërnda masivisht në TikTok dhe Instagram, duke grumbulluar miliona shikime.