E mërkurë, 4 Qershor, 2025
21.2 C
Pristina

Kosova në udhëkryq: Kriza politike thellon tensionet me BE-në dhe SHBA-në

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

Zgjedhjet parlamentare në Republikën e Kosovës u mbajtën më 9 shkurt, por katër muaj më vonë, vendi vazhdon të jetë pa qeveri dhe pa kryetar Kuvendi.

Më 2 qershor, dështoi përpjekja e 25-të për formimin e një qeverie të re — një fakt që sipas gazetës ukrainase European Pravda, dëshmon për thellimin e krizës politike në shtetin më të ri të Evropës.

Që prej zgjedhjeve, deputetët e rinj mblidhen çdo 48 orë në përpjekje për të zgjedhur udhëheqësinë e re institucionale, por pa sukses. Vendi vazhdon të jetë në bllokadë politike dhe asnjë perspektivë e qartë nuk duket në horizont.

Sipas European Pravda, edhe pse Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti doli partia e parë në zgjedhje, ajo humbi terren krahasuar me rezultatin e mëparshëm, duke siguruar vetëm 48 ulëse — dhjetë më pak se në zgjedhjet e fundit. Ky rezultat është i pamjaftueshëm për formimin e një shumice në Kuvendin 120-anëtarësh, ndërsa krijimi i një koalicioni ka rezultuar i pamundur.

Opozita është e vendosur të largohet Kurtin nga pushteti, por atyre u mungojnë numrat e nevojshëm për të formuar një qeveri. Kjo përplasje mes dy kampeve ka bllokuar çdo përpjekje për normalizimin institucional, duke thelluar më tej krizën politike.

Gazeta ukrainase gjithashtu thekson se Kurti dhe Vetëvendosje përfaqësojnë një brez të ri politikanësh, të cilët kanë sfiduar trashëgiminë e elitave të vjetra të luftës. Megjithatë, kjo ka sjellë edhe përplasje të forta me aleatët tradicionalë të Kosovës, veçanërisht për shkak të qasjes së ashpër të Kurtit ndaj veriut të vendit dhe minoritetit serb.

Në përpjekje për të forcuar kontrollin e Prishtinës mbi veriun me shumicë serbe, Kurti ka tensionuar marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-në. Sanksionet e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës, ndërkohë që Serbia nuk ka përballuar pasojat, kanë rritur ndjeshëm tensionet politike të brendshme duke krijuar një situatë të paqartë dhe të ndërlikuar.

Opozita kosovare e sheh këtë përballje me Perëndimin si të rrezikshme për të ardhmen e vendit, duke pasur parasysh sfidat ekzistuese si varfëria, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Një tjetër faktor që e ndërlikon situatën është se 10 vende në Kuvend janë të rezervuara për minoritetet, shumica prej tyre të zëna nga Lista Serbe — një parti e afërt me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Kjo i jep Beogradit një ndikim të drejtpërdrejtë në politikën e brendshme të Kosovës, duke kontribuar në destabilitetin aktual.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deri më tani nuk ka ndërmarrë hapin për shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke pasur parasysh se një cikël tjetër zgjedhor mund ta thellojë edhe më shumë krizën. Gjetja e një zgjidhjeje për situatën aktuale duket e largët, me ndikime politike dhe diplomatike që e shtyjnë vendin në një udhëkryq të vështirë.

Integrimi në BE në udhëkryq

Kosova përballet me një udhëkryq të vështirë në rrugën e saj drejt integrimit europian. European Pravda thekson se pengesa kryesore për këtë mbetet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, bisedime që u ndërprenë pas sulmit të armatosur të vitit 2023 në fshatin Banjskë. Në këtë sfond, figura si Richard Grenell — ish-emisari i posaçëm amerikan gjatë administratës Trump dhe mik i ngushtë i Vuçiqit — vazhdojnë të kenë ndikim të konsiderueshëm, shpesh duke mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj qeverisë së Kosovës.

Situata aktuale në Kosovë përshkruhet si një krizë e shumëfishtë: institucionale, politike, ekonomike dhe diplomatike. Çdo përpjekje për të kapërcyer këto sfida kërkon një strategji të qartë dhe një angazhim të ri nga të gjithë aktorët politikë, por zgjidhja e saj mbetet ende larg.

PROMO

Nga Rubrika