Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të mërkurën, se dinari serb nuk është zyrtarisht i “ndaluar” në Kosovë, por ai theksoi se vetëm euro është mjet ligjor për transaksionet tregtare.
Këto komente Kurti i bëri gjatë një interviste për AFP, një javë pasi vendimi i diskutueshëm kundër dinarit ndezi tensionet diplomatike me Serbinë.
“Ne nuk po i ndalojmë dinarët serb, njerëzit mund të kenë dinarë serb, por mjeti i vetëm i pagesës është euro”, tha Kurti, duke këmbëngulur se serbët e Kosovës nuk do të ndëshkohen për mbajtjen e valutës.
Kurti theksoi se ishte vendosur një periudhë kalimtare njëmujore për të lehtësuar rregulloren e re, e cila do të lejonte komunikim të mëtejshëm dhe kohë për të zgjidhur këto çështje.
“Nuk është qëllimi ynë as të ndëshkojmë dikë dhe as të befasojmë qytetarët”, tha Kurti.
Deklaratat e tij erdhën pasi Serbia akuzoi Qeverinë e Kosovës për bllokimin fizik të një dërgese dinarësh në kufi të mërkurën.
“Banka Kombëtare e Serbisë dënon fuqishëm incidentin e sotëm dhe rithekson se është e nevojshme që menjëherë të shfuqizohen masat diskriminuese, të paligjshme dhe të egra”, tha Banka Qendrore e Serbisë në një deklaratë.
Banka tha se dërgesa ishte caktuar për të paguar paga, pensione, përfitime sociale dhe pagesa të tjera për serbët në Kosovë.
Autoritetet e Kosovës thanë se një automjet serb i ishte afruar kufirit për të pyetur për dërgimin e dinarëve dhe u informua se vetëm kompanitë e autorizuara mund të sillnin dinarët në Kosovë..
Pavarësisht mosmarrëveshjes së fundit diplomatike, Kurti tha se synonte që këtë vit të normalizonte marrëdhëniet me rivalin e përhershëm Serbinë, pas bisedimeve të ngecura për këtë çështje midis dy palëve.
“Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë uroj për këtë vit, për vitin 2024, dhe në vitet dhe dekadat e ardhshme dua të dal fitimtar në çështjet si pabarazia sociale, ndryshimet klimatike dhe kërcënimet e sigurisë”, tha Kurti.
Shumë serbë në Kosovë mbeten të punësuar në institucionet serbe, ku pagat, pensionet dhe transaksionet e tjera financiare mbështeten në dinar dhe jo në euro.
Kosova e miratoi euron si monedhë të saj në vitin 2002, pavarësisht se nuk ishte anëtare formale e eurozonës dhe as e Bashkimit Evropian.
Perëndimi e dënoi këtë veprim të Kurtit, duke thënë se kjo ka të ngjarë të nxisë edhe më tej tensionet midis dy palëve./Telegrafi/