E shtunë, 31 Maj, 2025
12.7 C
Pristina

Luan Dalipi kundërshton akuzat e PDK-së: Vëllai im ka aplikuar me plot të drejta për t’u angazhuar në tregun e energjisë

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

Shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës, që pretenduan se njëra nga kompanitë që ka aplikuar për licencim në tregun e energjisë është MDA, e themeluar nga Dalipi.

Në reagimin e tij publik, Dalipi theksoi se kompania MDA udhëhiqet nga vëllai i tij Driton Dalipi, dhe se ai ka aplikuar ligjërisht, ashtu siç bëjnë çdo qytetar dinjitoz, transmeton Telegrafi.

“Po, është e vërtetë – që kur kam hyrë në Qeveri, Dritoni s’ka pushu së qenë vëllau jem. Dritoni s’është ministër, s’është këshilltar, as roje tek dera – është thjesht një qytetar i lirë. Pas 20 vitesh pune të suksesshme në biznes, ai ka vendosur, rreth një vit më parë, të provojë fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo qytetar tjetër. Aplikoi ligjërisht, siç bëjnë njerëzit normalë. Portalet që e bënë këtë “Breaking News” ndoshta kanë nevojë për pushim veror… ose një kurs bazik në ekonomi,” ka shkruar ai.

Duke u ndalur më tej, Dalipi bëri të ditur se Dritoni, një afarist me më shumë se 20 vite përvojë, ka të drejtë të angazhohet në zhvillimin e biznesit, ashtu si çdo qytetar tjetër në këtë vend. “Unë kam shërbyer me dinjitet dhe përkushtim në këtë Qeveri tash e katër vjet. Kjo nuk do të thotë se e gjithë familja ime ka hyrë në Qeveri. E as që duhet të paragjykohet për lidhjet farefisnore me mua,” theksoi ai.

Ai e inkurajoi Dritonin të jetë sa më i suksesshëm në biznes, ashtu siç e bën me secilin tjetër nga sektori privat, duke nënvizuar se “Dritoni dhe çdokush tjetër ka të drejtë të aplikojë për një licencë në tregun e liberalizuar të energjisë. Pas kësaj, është çështje e tregut – ofertë dhe kërkesë – për ata që kuptojnë pak nga ekonomia.”

“Dhe për qytetarët e ndershëm të këtij vendi, pavarësisht bindjeve politike: Mos i besoni gjithçkaje që lexoni në portale, të cilat, për fat të keq, shumë prej tyre janë shndërruar në vegla të propagandës politike. Ka shumë mercenarë që nuk e kanë hallin tek e vërteta, por tek titujt bombastikë,” është shprehur Dalipi.

Dalipi ka theksuar se MDA është një kompani private me 20+ vite përvojë, e pronësuar 100% dhe e drejtuar nga Dritoni, jo nga ai vetë. “Nga viti 2004 deri në 2024, MDA ka qarkulluar 27 milionë euro, ka paguar 1.5 milionë euro taksa, dhe ka pasur mbi 500 punonjës të angazhuar në kohë të ndryshme, në qindra projekte” thekson ai.

“Shumica dërmuese e qarkullimit ka ardhur nga organizata ndërkombëtare donatore në Kosovë. Është një kompani që nuk ka lidhje me militantizëm politik, por bazohet në cilësi dhe profesionalizëm. Dritoni e ka filluar përgatitjen për të hyrë në tregun e energjisë së ripërtëritshme para një viti, duke parë këtë si një mundësi për ta zhvilluar biznesin e tij,” shprehet Dalipi.

Aplikimi për licencë, sipas tij, është bërë në mënyrë të hapur dhe ligjore pranë ZRRE-së, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme. “Dritoni ka treguar se kjo mund të jetë një mundësi e re për zhvillimin e energjive të ripërtëritshme dhe ne e mbështesim atë në këtë iniciativë,” përfundon ai.

PROMO

Nga Rubrika