Federata Shqiptare e Futbollit ka firmosur një marrëveshje të re për të drejtat e emërtimit të Stadiumit Kombëtar në Tiranë, duke ruajtur emrin e njohur “Air Albania Stadium” për pesë vitet e ardhshme. Ky zhvillim nënvizon angazhimin e fortë të FSHF-së për të zhvilluar një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe produktiv me kompaninë ajrore kombëtare.
Marrëveshja u nënshkrua sot në Shtëpinë e Futbollit nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Administratori i “Air Albania”, Sinan Isik. Kjo bashkëpunim simbolizon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes sportit dhe biznesit në Shqipëri.
Për Presidentin Duka, kjo marrëveshje është dëshmi e ndërveprimit të suksesshëm mes Qendrës Sportive Kuq e Zi dhe Air Albania, një markë kombëtare që ndan një vizion të përbashkët për promovimin e vlerave shqiptare dhe trashëgimisë kulturore.
“Jemi këtu sot për të ritheksuar një bashkëpunim që ka sjellë vlera të jashtëzakonshme në sport, si dhe për të demonstruar se futbolli shqiptar mund të bashkëveprojë me botën e biznesit. Emri ‘Air Albania Stadium’ përfaqëson shumë më tepër sesa një emër tregtar; ai evidentohet me një filozofi moderne ku sporti, ekonomia dhe identiteti kombëtar avancojnë së bashku. Ky stadium ka qenë pionier në Shqipëri dhe rajon për emërtimin e tij tregtar, duke krijuar një model novator për marketingun sportiv në vend.
Këto pesë vite të ardhshme do të jenë një mundësi për të vazhduar promovimin e këtij model të suksesshëm, duke e bërë sportin shqiptar gjithmonë e më të njohur dhe të respektuar në arenën ndërkombëtare. Ne jemi të angazhuar për të dëshmuar se ky treg është në rritje dhe se ai krijon mundësi të reja për të gjithë aktorët e sportit.
“Air Albania” ka shërbyer gjithashtu si një partner strategjik, duke u angazhuar thellë në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë dhe duke përfaqësuar simbolikisht flamurin kuqezi, si brenda ashtu edhe jashtë fushës së lojës. Në emër të FSHF-së, dëshiroj të falënderoj Sinan Isik dhe ekipin e tij për besimin që kanë treguar në këtë marrëveshje të re dhe angazhimin e tyre afatgjatë.”, deklaroi Duka, duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti për të ardhmen e futbollit shqiptar.
Për Sinan Isik, administratori i “Air Albania”, ky partneritet do të sjellë stabilitet dhe prestigj për Stadiumin Kombëtar, duke e rritur statusin e tij si vendi ku zhvillohen ndeshjet e Kombëtares dhe finale të kompeticioneve të tjera të rëndësishme.
“Kjo marrëveshje është një moment i veçantë, jo vetëm për ne si kompani, por edhe për shqiptarët që ndjejnë përgjegjësi dhe krenari për të mbështetur futbollin dhe vlerat që ai përfaqëson. Ne jemi të përkushtuar të jemi më shumë se një kompani ajrore, duke u angazhuar aktivisht në jetën kulturore dhe sportive të vendit. Kjo marrëveshje konfirmon besimin tonë në zhvillimin e sportit shqiptar dhe në rritjen e shoqërisë sonë.”, përfundoi Isik, duke nxjerrë në pah besimin e “Air Albania” në të ardhmen e sportit shqiptar.