Një ditë pas barazimit 2-2 kundër Bayern Munich, që i siguroi Interit një vend në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve përballë Barcelonës, ish-mbrojtësi zikaltër, Marco Materazzi, foli për “Gazzetta dello Sport”.
Aty shprehu bindjen e tij mbi potencialin e kësaj skuadre për të bërë histori: “Tripleta? Mungojnë kaq pak hapa për të hyrë në histori. Dëshira e skuadrës për të shkuar deri në fund është aq e fortë, sa tani gjithçka është vërtet e mundur”.
Materazzi theksoi se kompaktesia është kushti thelbësor për suksesin: “Është kushti themelor për gjithçka, pa të nuk nisesh dot fare… Sezoni ka qenë i gjatë, me shumë angazhime, por ky është momenti më i bukur, sepse është koha e korrjes së fryteve, edhe e vuajtjes, sepse forcat fillojnë të bien dhe duhet të durosh. Duhet të shtysh përpara dhe të mendosh ndeshje pas ndeshje.”
Ai vazhdoi të nënvizonte se festimi ishte i merituar: “Ishte e drejtë që festuan, sepse të rikthehesh në gjysmëfinale të Champions-it, veçanërisht pasi ke eliminuar një skuadër të madhe si Bayern Munich, është rezultat i jashtëzakonshëm. Tani duhet të mendojnë menjëherë për të dielën dhe për transfertën e vështirë në Bologna.”
Për Materazzin, ky Inter është unik për aftësinë e tij për të menaxhuar situata të presionit: “Çfarë i ka bërë më shumë përshtypje te ky Inter: Aftësia për të lexuar momentin. Goli i Kane mund të kishte tronditur cilëndo skuadër, por Interi mbeti tepër i qetë dhe përmbysi gjithçka në pak minuta. Psikologjikisht ishte një goditje shumë e rëndë për Bayernin.”
Ai shtoi se skuadra gjermane ka përjetuar një “shok” të vërtetë: “Mes avantazhit të tyre dhe përmbysjes së Interit kaloi fare pak kohë, gjermanët u gjendën papritur të goditur nga një ‘shok’ i vërtetë. Diçka që nuk ndodhi aspak me Interin.”
Interi ka treguar një stabilitet të admirueshëm gjatë gjithë sezonit: “Mos harroni: e njëjta gjë vlen edhe për ndeshjen e parë, me golin e Frattesit për 2-1 që erdhi menjëherë pas barazimit të Müller. Ky Inter është gjithmonë në kontroll të ndeshjes.”
Në përfundim, Materazzi inkurajoi skuadrën për të vazhduar përpara duke u përqëndruar te çdo ndeshje: “Duhet të tregojnë se kanë atë vullnet dhe besim për të arritur suksesin e madh. Vetëm kështu do të bëjnë histori dhe do të realizojnë atë që shumë skuadra ëndërrojnë.”