Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se gjatë muajit shkurt janë regjistruar 5 mijë e 54 të punësuar të rinj.
Ai ka thënë se kjo vjen si rezultat i hyrjes në fuqi të ligjit të ri të ATK-së, i cili kërkon që punëtorët të regjistrohen/deklarohen së paku një ditë para se ata të fillojnë punën.
Tutje, Murati ka bërë të ditur se fushata e kontrolleve nëpër biznese për punëtorë të padeklaruar po vazhdon.
“Të gjithë të punësuarit duhet të kontrollojnë nëse punëdhënësi i ka deklaruar në ATK, dhe në rast se jo, të denoncojnë punëdhënësin. Punëdhënësi ka për obligim të deklarojë të gjithë të punësuarit dhe t’u paguajë kontributet me rregull”, ka shkruar ministri në Facebook.
Ndryshe, këtë javë ka nisur fushata për identifikimin e të gjithë punëdhënësve, të cilët shkelin ligjin dhe të drejtat e punëtorëve duke mos i deklaruar dhe duke mos ua paguar kontributet. /Telegrafi/