Web Analytics
E enjte, 20 Qershor, 2024
28.7 C
Pristina

Më shumë se 670 të vdekur nga rrëshqitja e dheut në Papua Guinenë e Re

Më shumë se 670 njerëz janë vrarë nga një rrëshqitje dheu në veri të Papua Guinesë së Re, sipas llogaritjeve nga zyrtarët lokalë.

Bëhet e ditur se rrëshqitja në ishullin në jugperëndim të Paqësorit rrafshoi fshatin malor Kaokalam në provincën Enga.

Serhan Aktoprak, shefi i misionit të OKB-së për migracionin në ishull, tha se numri i të vdekurve bazohet në llogaritjet e fshatit Yambali dhe zyrtarëve të provincës Enga se më shumë se 150 shtëpi janë rrafshuar.

OKB-ja ka vlerësuar se të prekur nga rrëshqitja janë më shumë se 4,000 njerëz dhe më shumë se gjashtë fshatra, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

Në një zonë ku u shkatërruan 40 deri në 50 shtëpi u nxorrën tre trupa të pajetë, ndërsa gjashtë të tjerë, përfshirë një fëmijë, u gjetën të gjallë.

Siç raportohet, nën rrënoja gjenden edhe të tjerë të bllokuar.

Por, sipas Aktoprak, “shpresat për të nxjerrë njerëzit të gjallë nga rrënojat janë zvogëluar”.

Rrëshqitja ka lënë edhe mbeturina të shumta të cilat e kanë ndërprerë qarkullimin rrugor dhe po e vështirësojnë dërgimin e ndihmave.

Mënyra e vetme për të shkuar në atë zonë është përmes helikopterit.

“Më shumë shtëpi mund të rrezikohen nëse rrëshqitja e dheut vazhdon poshtë malit”, tha një zëdhënës i grupit humanitar CARE Australia.

Ndryshe, Papua Guinea e Re është kombi më i popullarizuar i Paqësorit Jugor pas Australisë, me 10 milionë banorë.

Ndodhet në gjysmën lindore të ishullit të Guinesë së Re dhe ndodhet në Unazën e Zjarrit të Paqësorit, harkun sizmik rreth Oqeanit Paqësor, ku ndodh pjesa më e madhe e tërmeteve dhe aktivitetit vullkanik të botës.

Në mars, vendi u godit nga një tërmet me magnitudë 6.9 ballë.

Nga rubrika