Këngëtarja turke Dilan Çıtak, vajza e artistit të njohur İbrahim Tatlıses, është përfshirë në një incident serioz në Bodrum, ku nuk i është bindur një urdhri ndalimi nga policia dhe ka drejtuar makinën e saj drejt një efektivi policie.
Pas të shtënave paralajmëruese në ajër nga ana e policisë, ajo është ndalur dhe është arrestuar.
Autoritetet konfirmojnë se Çıtak është ndaluar nën akuzat për “rrezikim të trafikut”, “mosbindje ndaj urdhrave të policisë” dhe “rezistencë ndaj zyrtarit publik”. Hetimet ndaj saj janë ende në vijim në komisariatin lokal.
Ky nuk është incidenti i parë ku artistja është përfshirë në konflikt me autoritetet.
Në shtator të vitit të kaluar, gjatë një fluturimi me Turkish Airlines në linjën Bodrum–Stamboll, ajo u paralajmërua nga stjuardesat që të mos e nxirrte kafshën e saj shtëpiake nga kutia e transportit. Konflikti verbal përfundoi, sipas pretendimeve, me dhunë fizike ndaj personelit të kabinës.
Deri në përfundim të hetimeve, autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi pasojat ligjore që mund të përballet Çıtak.