Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë, ku përmes një fjalimi të thellë diskutoi për rëndësinë e aleancave ndërkombëtare, dialogun me Serbinë dhe sfidat e Kosovës në arenën globale.
Gjatë fjalës së saj, Osmani theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia janë dy partnerë të rëndësishëm që kanë mbështetur Kosovën gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë historike. Ajo e përshkroi Kosovën si një shembull të suksesshëm të rimëkëmbjes pas një periudhe shkatërruese, duke vënë në dukje se populli i Kosovës nuk ka hequr dorë kurrë nga ndjekja e të drejtave dhe lirisë së tij.
Presidentja Osmani e cilësoi njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kenia si një pikë kthese që ka sjellë një momentum të ri në përpjekjet për të fituar njohje të reja ndërkombëtare. Megjithatë, ajo theksoi se propagandat dhe përpjekjet e Serbisë, si dhe të vendeve tjera me regjime autoritare, vazhdojnë të pengojnë këtë proces.
E para e shtetit shqiptaro-kosovar rikujtoi se dialogu me Serbinë mbetet thelbësor për të dy vendet, duke shtuar se ka pasur arritje në diskutimet mbi lëvizjen e lirë dhe çështjet e së kaluarës që kërkojnë përgjegjshmëri nga Serbia. “Ne kemi diskutuar për çështje të ndjeshme si të zhdukurit dhe hapjen e arkivave nga Serbia,” tha ajo, duke nënvizuar domosdoshmërinë për të gjetur trupat e të zhdukurve gjatë luftës, shumica e të cilëve ishin fëmijë.
Osmani vuri në dukje se një nga pikat kryesore të dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë, e cila është thelbësore për stabilitetin dhe paqen në rajon. “Dialogu nuk është vetëm një proces formal; është një mundësi për të rikthyer besimin dhe bashkëpunimin mes dy vendeve,” theksoi ajo.
Presidentja e Kosovës e rëndësi të veçantë i dha roli të pandërprerë të Shteteve të Bashkuara në këtë proces. Ajo kërkoi angazhimin e SHBA-ve si një faktor i domosdoshëm për suksesin e bisedimeve, duke theksuar se “sa më i fuqishëm të jetë roli i SHBA-së, aq më afër do të jemi marrëveshjeve dhe zgjidhjeve përfundimtare.”
Gjatë qëndrimit të saj në Turqi, Osmani pati mundësinë të takohet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për të cilin tha se është një aleat i pashoq i Kosovës. “Erdogan ka qenë gjithmonë me ne, në sfida dhe suksese, duke e mbështetur Kosovën në çdo hap të saj,” deklaroi Osmani, duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti për zhvillimin e vendit.
Ajo gjithashtu u takua me presidentin e Sirisë, Ahmet al Sharaa, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve. Osmani theksoi se Kosova dhe Siria përballen me sfida të ngjashme dhe ndajnë ngjarje të vështira historike, duke kërkuar një bashkëpunim më të thellë për t’i përballuar këto sfida së bashku.