Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Karin Keller-Sutter, ka pritur sot në takim homologen e saj nga Kosova, Vjosa Osmani, me të cilën kanë diskutuar për marrëdhëniet ekonomike, marrëveshjen për tregtinë e lirë, çështje të emigracionit dhe projektet në fusha të rëndësishme në Kosovë.
Në një konferencë për media pas takimit, Osmani ka shprehur falënderimin e saj për mbështetjen e shtetit zviceran në fazat e shtete-ndërtimit, si dhe përmes pjesëmarrjes në misionin paqeruajtës të NATO – KFOR. Ajo theksoi gjithashtu rolin e diasporës shqiptare në thellimin e marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Zvicër.
“Zvicra qëndroi pranë atëherë dhe qëndron pranë nesh edhe sot gjersa ndërtojmë një të ardhme më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët tanë. Jemi veçanërisht mirënjohës për rolin paqeruajtës të Zvicrës në kuadër të KFOR-it, si dhe për përkushtimin zhvillimor të Zvicrës në raport me shtetin tonë ndër vite,” ka thënë Osmani.
Kjo vizitë e Osmanit në Zvicër ka si qëllim thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. “Marrëveshja e tregtisë me Zvicrën do të hapë rrugën për zhvillim ekonomik, dhe ftoj komunitetin e biznesit zviceran të vazhdojnë ta shohin Kosovën si një vend me potencial të madh ekonomik,” tha ajo, duke shprehur besimin se investimet e huaja do të jenë të dobishme për të dyja vendet.
Duke folur mbi gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Osmani përmendi raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Parlamentit Evropian që dëshmojnë se Serbia po kryen spastrim etnik me mjete administrative, duke shkurtuar të drejtat e shqiptarëve në këto zona. “E kam ngritur zërin nga KS i OKB-së deri në PE për të mbrojtur këto të drejta,” tha ajo me forcë.
“Reciprociteti i të drejtave është esencial. Nëse shqiptarët në Kosovë gëzojnë të drejta, ashtu duhet të ndodhi edhe për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Fatkeqësisht, Serbia ka refuzuar të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare për të mbrojtur këto të drejta,” theksoi Osmani, duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare për qytetarët shqiptarë nga këto komuna.
Ngërçi politik në Kosovë gjithashtu ka qënë në qendër të bisedimeve, ku presidentja Osmani shprehu shqetësim për situatën aktuale për shkak të mos zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit. “Barren e vonesave e paguajnë qytetarët e Kosovës. Me mos konstatimin e Kuvendit, ne nuk mund të trafikojmë marrëveshje ndërkombëtare,” ka theksuar ajo, duke kërkuar një zgjidhje të shpejtë.
Osmani beson se partitë politike do të arrijnë një marrëveshje për të kaluar situatën aktuale, pasi zgjidhjet politike gjithmonë janë afër kur vendi vihet si objektiv. “Dëshiroj të shoh një Kuvend të fortë, i cili do të udhëheqë me vendime të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës,” tha ajo.
Vjosa Osmani është në një vizitë shtetërore në Zvicër me ftesë të homologes së saj zvicerane, një hap i rëndësishëm për forimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.