Këngëtarja Parashqevi Simaku vizitoi një ditë më parë shoqatën e shqiptarëve në Amerikë, e krijuar në vitin 1912, Vatra.
Në një shkrim të postuar në Gazetën Dielli, kryetari i Vatrës, Elmi Berisha falënderoi kontributin e çmuar të Simakut në muzikën shqiptare dhe përçimin e vlerave më të larta të kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
VATRA PRITI DIVËN E MUZIKËS SHQIPTARE PARASHQEVI SIMAKU
Vatra priti në një takim të ngrohtë e shumë të përzemërt divën e muzikës shqiptare Parashqevi Simaku. Kjo ngjarje u shndërrua në një festë të veçantë për të gjithë ata që e ndjejnë thellë lidhjen me kulturën shqiptare dhe identitetin kombëtar.
Ajo shoqërohej nga aktivisti i të drejtave të njeriut, biznesmeni Elton Ilirjani, aktivistja Elvira Tata, aktorja Julia Ilirjani e patriotë të tjerë, duke krijuar një atmosferë plot dashuri dhe respekt për vlerat shqiptare. Ky takim ishte një mundësi për të ribashkuar breza të ndryshëm dhe për të promovuar traditat shqiptare në diasporë.
Në fjalën e saj emocionuese, Parashqevi Simaku shprehu mirënjohjen e saj të thellë ndaj Elton Ilirjanit dhe Elvira Tatës për mbështetje dhe përkushtim, duke pohuar rëndësinë e unitetit mes shqiptarëve në Amerikë. Ajo theksoi se çdo vizitë e saj dhe çdo koncert në diasporë ka si qëllim përhapjen e vlerave të kulturës shqiptare dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Gjatë fjalimit të saj, ajo rrëfeu ngjarje nga jeta e saj artistike dhe personale, duke cituar Papa Françeskun përmes mesazheve të dashurisë dhe unitetit. “Në çdo këngë që këndoj, ndjej shpirtin e shqiptarëve, dhe për këtë ndiej përgjegjësi të madhe,” tha ajo, duke hapur kështu zemrat e të pranishmëve.
Kryetari i Vatrës, Dr. Elmi Berisha, së bashku me Ilir Cubi dhe Kujtim Funiqi, i shprehu mirënjohje divës së muzikës shqiptare për vizitën dhe për kontributin e saj të çmuar. “E gjithë bashkësia shqiptare ndjen një lidhje të veçantë me Parashqevi Simakun, këngëtaren që ka dhuruar gëzim dhe emocion për shumë vite,” pohoi ai.
Parashqevi Simaku ka qenë një ambasadore e muzikës shqiptare në Amerikë, duke kontribuar në ruajtjen e traditave dhe këngëve popullore shqiptare. Ajo është përmendur si figura qendrore e çdo festimi shqiptar, me këngët e saj që gjithmonë tregojnë historinë dhe kulturën tonë të pasur.
Vizita e saj në Vatër shënon një rikthim të rëndësishëm pas një periudhe të gjatë, dhe ajo zgjodhi këtë institucion për të shprehur respektin e saj për historinë dhe kontributin që ka pasur Federata në bashkimin e shqiptarëve në diasporë. Ajo e vlerëson Vatrën si një vend të shenjtë për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Amerikë, dhe si një simbol të unitetit kombëtar.
Me këtë vizitë, Parashqevi Simaku vërteton se arti dhe muzika kanë një rol thelbësor në lidhjen dhe mbështetje të komunitetit shqiptar, dhe se çdo këngë e saj është një tribut për atdheun dhe shpirtin e shqiptarëve kudo që ata ndodhen.