E diel, 8 Qershor, 2025
20.7 C
Pristina

Pas finales tragjike, Marotta zbardh vendimin e Inzaghit: Si erdhi zgjidhja për Chivun

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

Pas disa ditësh të mbushura me ngjarje të forta, Beppe Marotta rikthehet të flasë, madje përpiqet të qartësojë pesë ditët e fundit që kanë tronditur botën zikaltër.

Presidenti i Interit foli në kuadër të ‘Festivalit të Serie A’, që po mbahet në Parma. Kreu i klubit e komentoi kështu skepticizmin e tifozëve dhe medias, pas vendimeve të marra (mbas finales në Mynih):

“Përgjigjja është e thjeshtë dhe normale. Në futboll, nëse fiton, je i mirë, nëse humbet, shumë më pak. Na ka mbetur një shije e hidhur nga dështimi i një jave më parë, por kjo është pjesë e futbollit. Të dalësh i dyti nuk është dështim, por arsye për krenari. Të arrish në finalen e Ligës së Kampionëve, që është kompeticioni më i rëndësishëm për klubet, është diçka e jashtëzakonshme.

Dhe ta kesh bërë këtë dy herë në tri vite është edhe më e jashtëzakonshme. Duhet parë edhe kjo. Është e vërtetë që ka zhgënjim dhe hidhërim të thellë, por them me vendosmëri që sezoni ynë, i cili ende nuk ka përfunduar, sepse do të marrim pjesë në Botërorin e Klubeve, ku do të përfaqësojmë Italinë bashkë me Juventusin, është arsye për krenari”.

Më pas, Marotta hyri në detaje mbi zgjedhjen e Simone Inzaghit për t’u larguar dhe vështirësitë për të gjetur një zëvendësues. Ai tha: “Futbolli është një botë ku gjithçka digjet me shpejtësi ekstreme, por të martën pamë një deklaratë nga trajneri ynë (Inzaghi), i cili ishte aktori kryesor, dhe që na tha: Besoj se cikli im me Interin ka përfunduar, ndaj preferoj të kem një përvojë të re.

Shumë thonë se mund ta kishim imagjinuar, por nuk është kështu, sepse afrimi me finalen bëri që të mos e preknim këtë temë gjatë javës paraprake. Po e them hapur: Inzaghi e mori këtë vendim vetëm të hënën, pas humbjes me PSG”.

Mbi profilin e trajnerit të ri, ai shtoi: “Gazetat kanë folur për skepticizëm dhe konfuzion, por ne thjesht pranuam këtë vendim që na gjeti pjesërisht të papërgatitur, sepse nuk kishim siguri për largimin e Simone, ndaj vepruam. Mediat përmendën shumë emra, por ishim të vetëdijshëm se kategoria e trajnerit të ri është një çështje e rëndësishme.”

Marotta theksoi se është e nevojshme të përcaktohet profili i ri dhe strategjia që do të ndiqet: “Gjithë ajo që qëndron në mendjen tonë është të gjejmë dikë që mund të përqafojë filozofinë dhe vlerat e klubit tone. Pas pamundësisë për ta marrë Fabregas, zgjodhëm mundësinë e dytë që kishim në mendje. Falë gatishmërisë së Parmës e përshpejtuam procesin, u takuam me të dhe bëmë planet.”

“Interi është një klub i madh dhe ka detyrimin të marrë pjesë në gara për të fituar. Për këtë nevojiten shumë cilësi. Cilësi që ne besojmë se i gjetëm te Chivu. Nuk mund ta zyrtarizoj ende, sepse ka një çështje burokratike që duhet zgjidhur me Parmën për regjistrimin e tij, por do ta mbyllim me të”, përfundoi ai.

Marotta shtoi se Chivu është profili i duhur për objektivat që përmenda. “Nuk është një formë konfuzioni, por guximi, çka është thelbësore për një lider. Me rëndësi është që klubi të jetë i fortë, të ketë një pronësi të fortë dhe një program të qartë”, përfundoi ai. Këto fjalë vijnë në një moment kritik për Interin, që duhet të gjejë stabilitet dhe drejtim pas një periudhe të vështirë. Tashmë, të gjithë sytë janë drejt Chivut, i cili pritet të fillojë një epokë të re në pankinën e zikaltërve dhe të përpiqet të sjellë suksesin që klubi ka dëshiruar për kaq shumë kohë.

PROMO

Nga Rubrika