Pep Guardiola ka shprehur mendimet e tij mbi të ardhmen e tij në Manchester City dhe lidhjen me rivalin e tij të njohur, Carlo Ancelotti.
Guardiola, i cili aktualisht është në krye të klubit të qytetit, nuk ka ndërmend të largohet në një afat të shkurtër, por ai shpesh ka reflektuar mbi mundësinë e drejtimit të një kombëtareje, me të cilën do të donte të merrte pjesë në një Botëror apo Europian. “Do të më pëlqente të isha në një Kupë Bote, një Kampionat Europian apo ‘Copa América’, – deklaroi ai për “Reuters”, gjatë një interviste ekskluzive. – E kam menduar gjithmonë, por kjo varet nga shumë gjëra. Nëse ndodh, mirë. Nëse nuk ndodh, gjithashtu është mëse në rregull”.
Pas një periudhe të suksesshme, ku fitoi 12 tituj kampionë në Spanjë, Gjermani dhe Angli, Guardiola përjetoi një sezon pa trofe me City, një surprizë e vërtetë pas kaq shumë suksesesh. Ai u përball me kritika të ashpra për dështimin e ekipit të tij në të gjitha frontet, por ai shprehet se nuk ka interes t’ua vërtetojë kritikëve që kanë gabim, kur City të niset sezonin e ardhshëm. “Dua ta vërtetoj për veten time se mund ta bëj”, tha ai.
Guardiola është gjithashtu i vetëdijshëm se humbjet janë pjesë e jetës së çdo trajneri. “Nuk njoh asnjë trajner që humbet ndeshje dhe fle si bebe. Kjo nuk ndodh. Duhet të shqetësohesh, është pjesë e jetës sonë”, shtoi ai, duke nënvizuar se ndjesia e humbjes është e vështirë.
Prioriteti i tij mbetet për të fituar përsëri Champions League me City. Nëse ata përballen sërish me Real Madridin, Ancelotti nuk do të jetë në pankinën kundërshtare, pasi ai ka kaluar te Kombëtarja e Brazilit. Një ndjesi e re për Guardiolën, i cili ishte shpesh i menduar për përballjet me trajnerin italian.
Të dy trajnerët janë takuar pesë herë në përballjet direkte të Champions League, ku Ancelotti ka dalë fitues në katër raste. Kjo situatë ka lënë një efekt të madh te Guardiola. “Jam shumë i lumtur për të. Tani jam edhe më i lumtur që nuk është më në Madrid, sepse më mund gjithmonë”, tha ai duke qeshur. “Jam i lumtur që nuk më duhet të përballem më me të”.
Pep Guardiola gjithashtu thekson se është joreale të pritet që një trajner të fitojë gjithmonë dhe gjithçka. “Kam fituar 12 kampionate kombëtare në 16 vite. Nuk është keq, do të thoja, por nuk mund të fitosh gjithmonë. Nuk mund ta fitoj Champions-in gjithmonë”, nënvizoi ai.
Ai solli në vëmendje edhe historinë e figurave të njohura të sportit si Michael Jordan dhe Tiger Woods, duke argumentuar se ata gjithashtu kanë përjetuar humbje. “Michael Jordan, sportisti më i madh që kam parë në jetën time, fitoi 6 kampionate të NBA në 15 vite. Tiger Woods, një golfist i jashtëzakonshëm, Jack Nicklaus… Ata kanë humbur më shumë ‘Grand Slams’ se sa kanë fituar, kjo ndodh”, përfundoi Guardiola duke e ilustruar që fitorja dhe humbja janë dy faqe të njëjtës medalje.