Aktori i njohur i serialeve kosovare, Dardan Gashi, ka nisur sot për në Haxh, pelegrinazhin e shenjtë të myslimanëve në Mekë, duke u bashkuar me një numër të madh besimtarësh që udhëtojnë nga Kosova këtë vit.
Nga aeroporti i Prishtinës, Gashi ka ndarë emocionet e tij përmes një deklarate për platformën “N’shënjestër”, duke theksuar rëndësinë shpirtërore të këtij udhëtimi.
“Ky është një moment i veçantë për mua, një ngjarje që kam pritur për një kohë të gjatë. Haxhi është një përjetim që ndryshon jetën e dikujt”, tha ai.
Gashi, i cili e ka vizituar Mekën dhe Medinën disa herë më parë për Umre, ndau se ndjenja e tij për këtë udhëtim është ndryshe.
“Kësi ndjenje nuk kam përjetuar në asnjë udhëtim tjetër. Haxh nuk kam bërë asnjëherë, Umre tri herë. Çdo herë që vizitoj këto vende, emocionet janë të jashtëzakonshme,” tha ai.
Aktori zbuloj se vizitat e tij të shpeshta në këto vende të shenjta kanë krijuar një lidhje të thellë shpirtërore. “E kam vendosur si parim që të mos kaloj më shumë se dy vite pa i vizituar. Ndonjëherë mendoj se Meka dhe Medina janë si një magnet për shpirtin tim. Nuk mund ta besoj se sa shpesh ndjehem i lidhur me to,” shpjegoi Gashi.
Dardan Gashi, i cili ka fituar zemrat e publikut me rolet e tij në komeditë televizive, tani po shfaq një dimension tjetër të jetës së tij. Publikimet e tij në rrjetet sociale përfshijnë në mënyrë të shprehur jetën e tij shpirtërore, një dimension që ai e celebron me krenari.