Nga Alfred LLESHI
Në mbrëmjen e 31 majit, në qytetin mitik të Mynihut, futbolli ndalet, frymon thellë dhe rishkruan historinë. Përballë janë dy rrëfime, që nuk mund të jenë më të ndryshme; dy vizione të kundërta të së njëjtës ëndërr: Interi i lavdisë së trashëguar dhe PSG-ja e ndërtuar mbi petrodollarët e pafundmë arabë. Është një përballje mes muskujve të historisë dhe muskujve të injektuar me miliarda. Një skenë epike ku protagonisti nuk është vetëm topi, por filozofia që fshihet pas tij.
Që nga momenti që “Qatar Sports Investments” bleu klubin në vitin 2011, PSG nuk ka pushuar së ndërtuari një “kalà me tulla ari”: Neymar (222 mln), Mbappé (180), Kvaratskhelia (70), Achraf Hakimi (68), Ramos, Dembélé… Lista është e gjatë dhe e rëndë, shuma totale e shpenzuar arrin 2.283 miliardë euro, për të qenë afër ëndrrës, apo më mirë të themi, fiksohuni në Champions League.
Ky kompeticion është obsesioni i sheikëve nga Katari, flamuri që ende nuk valëvitet mbi “Parc des Princes”. Qëllimi i Nasser Al-Khelaifi ka qenë gjithmonë të dominojë Europën, të ngrihet përmbi Realin, Barçën, Bayernin, Interin dhe mbi të gjitha, Premier League. Pavarësisht shpenzimeve të mëdha, PSG e ka ndjerë presionin për të arritur suksesin me çdo kusht dhe ky presion është ato që ndihmon të formohet identiteti i një skuadre.
Sidoqoftë, për herë të parë, paratë pa limit kanë takuar logjikën në klubin parizien. Luis Enrique solli “kokën” në një “trup” që dikur kishte vetëm zemër dhe ego, hoqi “yjësitë” e konsumuara si Messi dhe Neymar, largoi hijen e Mbappé dhe krijoi një grup të uritur me energji të papërmbajtshme, që fluturon mbi krahët e Dembélé së rilindur dhe Kvara të frikshëm. Ky PSG është më pak galaktik, por më shumë skuadër. Dhe kjo është frika më e madhe për Interin.
Nga ana tjetër, Interi është zëri i të vjetërve që nuk harrohen, fryma e një historie që ka përjetuar dhimbje dhe triumfe, dritë dhe hije. Pas finales së humbur në Stamboll ndaj Manchester City, pas titullit të Serie A që i rrëshqiti nga duart në javët e fundit të kampionatit, kjo është mundësia për ta kompletuar ciklin e Inzaghit me aureolë. Sepse nëse ka një fjalë që e përkufizon këtë Inter, ajo është qëndrueshmëria.
Bobo Vieri e tha më mirë se kushdo: “Dy finale në tri vite, kjo nuk ndodh shpesh. Ky klub ka ndërtuar një top-skuadër me nga dy lojtarë për çdo repart, pa shpenzuar qindra-miliona”. Një strukturë drejtuese që punon me arsye sportive dhe ekonomike, një trajner që ka fituar çdo betejë me inteligjencë, një Lautaro që nuk është vetëm kapiteni, por shpirt i një ekipi që di të vuajë dhe “të ngjallet”…
Kjo finale nis nga porta me një sfidë poetike… Donnarumma, i quajtur nga Buffon si “portieri më i mirë në botë”, përballë Sommer, portierit që ka qenë “mur” në këtë fushatë europiane. Buffon, që vetë kurrë nuk arriti ta ngrejë këtë trofe, e ka zemrën me Gigio, por pranon se “Interi ka 50% të shanseve, të paktën”. Ky antagonizëm mes dy portierëve dhe stilit të tyre loje do të jetë një faktor i rëndësishëm në këtë finale.
Legjendat flasin me admirim. Sneijder sheh një Inter më të pjekur se ai i dy viteve më parë. Rummenigge flet për një rrugëtim të jashtëzakonshëm zikaltër në këtë Champions. Dhe ndërsa nostalgjikët kujtojnë Mourinhon, ndjenja e përbashkët është se Inzaghi e ka rikthyer Interin në elitën botërore, ndoshta për herë të fundit në këtë cikël. Finalja në Mynih është, siç shkruan media italiane, një finale që ndoshta nuk do të rikthehet më për këtë grup zikaltër, për këtë trajner.
PSG kërkon të fitojë betejën e legjitimitetit, që emri i tij të futet në muzeun e futbollit elitar, përtej bilanceve bankare. Interi, nëse fiton, do të rikthejë vlerat e ndërtimit, besnikërisë dhe historisë në fronin europian. Nëse kjo ndodh, do të ishte fitore “etike”, sepse kjo nuk është vetëm një finale futbolli. Është një duel simbolesh: tradita përballë ambicies së re, nikoqirllëku përballë shpenzimeve pa limit, Europa e vjetër kundër Lindjes së pasur. Vetëm njëri do ta ngrejë “kupën veshëgjatë” sonte, por të dyja ekipet luajnë për një vend në përjetësi…
Në fund të natës së sotme, diku mes brohorimave dhe lotëve, do të kuptojmë nëse paraja mund të blejë gjithçka apo zemra, pasioni dhe tradita ende mund të fitojnë. Finale si kjo shërbejnë për të matur gjatësinë e kohës në shpirtin e tifozëve. Janë si rrëfime biblike, ku gjithçka përmblidhet në 90 minuta ose më shumë, në çdo lëvizje, çdo gabim, çdo shpërthim gëzimi. Gjithçka bëhet pjesë e një kujtese kolektive që nuk shlyhet kurrë.
Finalja e Mynihut, më shumë se çdo tjetër, ngjan me një përplasje filozofish. Nëse PSG është një orkestër me solistë virtuozë të importuar, Interi është simfoni e luajtur me instrumente të stërvitur në heshtje, me nota që flasin gjuhën e eksperiencës dhe përulësisë. Çdo element i kësaj skuadre është një rrëfim: Darmian, një ish-i harruar i Manchester United, i kthyer në garanci zikaltër.
Acerbi, nga lufta me kancerin te finalet e Champions-it. Barella, lojtari që përfaqëson shpirtin italian më shumë se kushdo tjetër. Lautaro, sigurisht, është zemra, por Inzaghi i ka dhënë kësaj zemre një ritëm simfonik. Një dirigjent pa britma, por me plan të qartë. Nën vështrimin e tij, Interi nuk ka qenë thjesht një skuadër; ka qenë strukturë gjeometrike e harmonizuar mes vuajtjes dhe reagimit.
Në krahun tjetër, ai i Luis Enrique është ndoshta më afër idealit të një ekipi sesa çdo PSG më parë, por pyetja mbetet: a është ky grup vërtet i gatshëm të përballojë presionin e trashëgimisë së munguar? Sepse, ndërsa Interi mbështetet mbi historinë për të fluturuar, PSG është i ngarkuar nga ajo. Çdo dështim nuk është më një faqe e zakonshme, por krisje në imazhin që parizienët (në fakt sheikët) duan të ndërtojnë.
Donnarumma, Kvaratskhelia, Zaïre-Emery…; janë emra të mëdhenj, por jo legjenda, jo ende. Për ta fituar këtë trofe duhet më shumë sesha cilësi, duhet karakter. Ai lloj karakteri që formohet në vuajtje dhe dhimbje, jo përmes milionave. Nëse jo tani, kur? Për Interin, kjo mund të jetë java e fundit e shumë gjërave: ndoshta për Inzaghin, ndoshta për disa veteranë, ndoshta për një epokë ku ndërtimi me logjikë ka prodhuar bukuri.
Dhe për këtë arsye, ka një ndjenjë urgjence e përkushtimi që i jep kësaj finaleje emocion të pazakontë. Jo vetëm për të fituar, por për të shenjuar një epokë në kujtesën e tifozëve zikaltër, që janë lodhur nga lavdia e përkohshme dhe duan ta ndjejnë përkatësinë, si dikur.
Në këtë duel, fusha e “Allianz Arena” do të shndërrohet në një “arenë gladiatorësh” modernë, ku në çdo ndërhyrje do të dëgjohet jehona e një Europe që ndryshon, por nuk harron rrënjët e saj… Kjo finale është, ndoshta, fundi i një cikli për Interin dhe një fillimi për PSG-në. Ose ndoshta është e kundërta. Kjo është magjia e futbollit, askush nuk e di fituesin, derisa topi të ndalojë së rrotulluari.
Në fund të fundit, më shumë se gjithçka tjetër, kjo është një finale për lavdi. Ajo nuk blihet, nuk mund të simulohet me para, por vjen vetëm kur sakrifikon gjithçka për një fanellë, për një ngjyrë, për një ide. Mynihu po pret. Edhe ne bashkë me të. Me frymën pezull dhe zemrën që rreh si në një koncert të fundit. Sepse herë pas here, futbolli kthehet në poezi. Dhe kjo finale është si një simfoni me tinguj të lartë.