Gjithçka po bëhet gati për spektaklin që premton të jetë një ngjarje e madhe televizive e cila shikohet kudo ku ka shqiptarë.
Moderatori i Big Brother VIP, Ledion Liço, ka zbuluar në edicionin informativ të Top Channel disa detaje emocionuese rreth përgatitjeve për finalen e madhe. Ky spektakël do të shërbejë si kulminacion i gjithe këtij edicioni që ka mbajtur publiku në tension e entuziazëm gjatë gjithë vitit.
“Përgatitjet në këtë fazë që jemi janë të tilla që ke një listë të gjatë që duhet të bësh, e cila vetëm shtohet, ndryshon, evoluon. Ekipi është në një gjendje të përkushtuar, duke e ditur se çdo detaj është thelbësor për suksesin e këtij evenimenti,” tha Liço.
“Po kalojmë mirë, natyrisht me pak orë gjumë, me shumë orë lodhje dhe djersë. Shpresoj që moti të mbajë sepse ndryshe nga herët e tjera jemi pak të prekur nga kushtet atmosferike,” shtoi ai. Teksa përmendi hapjen e dy studio, ai theksoi se për herë të parë do të kishte mundësi për publikun të marrë pjesë drejtpërdrejtë në spektakël.
“Kjo është një mundësi unike për ata që duan të jenë pjesë e spektaklit në një atmosferë të hapur. Ne jemi në atë që do të quhet studio dy, një studio me tavan qiellin, dhe shpresojmë që të kemi një natë magjike nën dritat e yjeve,” tha Liço me optimizëm.
“Do të ketë shumë surpriza këtë vit! Ndryshe nga edicionet e mëparshme, surprizat nuk do të lidhen vetëm me finalistët, por do të përfshijnë performanca nga artistë të njohur dhe të rinj, të cilët do të kontribuojnë për të bërë këtë natë edhe më speciale.”
Pjesëmarrja e artistëve bën që ky event të shndërrohet në një koncert të vërtetë, ku ndjekësit do të kënë mundësi të dëgjojnë hitet më të njohura të këtij sezoni dhe të krijojnë atmosferë feste për 6 orë rresht.
“Hitet e të gjithë këtij sezoni do të këndohen dhe përcillen me dashuri nga publiku, i cili do të vijë nga të gjitha anët. Nga Shqipëria dhe Kosova, entuziazmi për të qenë të pranishëm është i pamohuar, edhe pse biletat janë të limituara.”
“Biletat mund t’i gjeni lehtësisht online, gjithçka është modernizuar. Për ata që preferojnë blerjen fiziike, kanë dy mundësi ku mund të shkojnë, zyrat në Kashar dhe Arena Center. Çmimi i biletës është simbolik, pasi qëllimi ynë është t’i bashkojmë të gjithë ne që kemi jetuar këtë përvojë.”
“Së fundi, dua të theksoj se publiku ka qenë një tifoz i jashtëzakonshëm për çdo banor. Kjo tifozëri ka qenë ndër më të mirat në të gjitha edicionet, dhe ne jemi të emocionuar për finalen e madhe,” përfundoi Ledioni.