Web Analytics
E diel, 7 Shtator, 2025
16.8 C
Pristina

Pse dialogu Kosovë – Serbi mbetet në një labirint pa dalje?

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet në ngërç, pavarësisht rëndësisë që ka për të ardhmen evropiane të të dyja vendeve.

Vizita e fundit e emisarit të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, në Prishtinë dhe Beograd, ka nxjerrë në pah një situatë të rëndë: mungesën e përparimeve konkrete.

Analistët e politikës ndërkombëtare theksojnë se mesazhet e përsëritura nuk ofrojnë shpresë për një zgjidhje afatgjatë.

Një nga arsyet kryesore për këtë bllokim është kriza politike që po përjetojnë të dyja vendet.

Të dyja kryeqytetet po përballen me sfida të brendshme, që e bëjnë edhe më të vështirë avancimin e dialogut. Kjo situatë ngre dyshime mbi aftësinë e Bashkimit Evropian për të ndërmjetësuar me sukses.

“Vizita e emisarit ishte më shumë mbledhje informacioni dhe testim terreni. Nuk pati përmbajtje të re. Mesazhet janë të njëjta: nevojitet zbatim i marrëveshjeve. Megjithatë, gjysma e mandatit të tij tashmë ka kaluar dhe nuk kemi parë dialog të vërtetë apo përparim thelbësor,” ka deklaruar Millosh Pavkoviq nga Qendra për Politika Evropiane në Serbi.

Gjatë gushtit, Sorensen zhvilloi takime në Prishtinë dhe Beograd, duke i cilësuar ato si përgatitore për rundet e ardhshme të dialogut.

Ai theksoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve, por pa një angazhim konkret, këto fjalë mbeten thjesht retorikë.

Analistët serbë e shohin procesin e dialogut si një shfaqje politike, ku përmbajtja reale mungon. Përsëritja e deklaratave rreth marrëveshjes së Ohrit nuk sjell ndonjë ndryshim të dukshëm në situatën aktuale.

Pika kryesore e bllokimit mbetet e pandryshuar: për Prishtinën, themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa për Beogradin, kundërshtimi ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Pa zgjidhjen e këtyre dy çështjeve, dialogu do të vazhdojë të mbetet në një qorrsokak.

Analistët në Beograd nënvizojnë se dialogu gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një fasadë politike pa substancë reale.

Vizita e Sorensenit konfirmoi se pa hapa të qartë politikë, procesi do të mbetet i mbërthyer në retorikë të përsëritur, ndërsa besimi publik në të po zbehet gradualisht.

PROMO

Nga Rubrika