E martë, 20 Maj, 2025
13.4 C
Pristina

Reagimi i fortë i AKK-së ndaj sulmeve të MAPL-së: Rreziku për 15 milion euro nga BE

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar ashpër ndaj gjuhës shpifëse dhe denigruese të përdorur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Me një reagim të qartë dhe të vendosur, AKK thekson se kjo sjellje përbën një sulm të paprecedent institucional ndaj Drejtorit Ekzekutiv, Sazan Ibrahimi. Në këtë kontekst, AKK paralajmëron gjithashtu për rrezikun e humbjes së 15 milion eurove nga Bashkimi Evropian, të cilat janë të destinuara për zhvillimin e komunave, nëse situata nuk zgjidhet shpejt.

Akk përmbledh se: “Çdo qëndrim, deklaratë dhe kërkesë e adresuar nga AKK-ja ndaj MAPL-së është e miratuar dhe përfaqëson vullnetin kolektiv të Bordit të AKK-së, i përbërë nga Kryetarët e Komunave anëtare. Kjo nuk përfaqëson në asnjë mënyrë interesat personale të askujt dhe nuk duhet interpretuar si një sulm ndaj individëve.”

AKK gjithashtu kritikon reagimin e MAPL-së si arrogant dhe të denigruese, duke theksuar se ai nuk ofron asnjë informacion konkret që lidhet me pyetjet e ngritura për kërkesën zyrtare të parashtruar më 5 maj 2025 nga Kryetari i AKK-së, z. Agim Aliu. Këto pyetje janë thelbësore për të kuptuar statusin e aplikimit për çokun e fondeve nga thirrja IPA III “EU for Good Governance” për vitet 2025–2027.

Një tjetër pikë e rëndësishme e reagimit të AKK-së është mbrojtja e integritetit të z. Sazan Ibrahimi, i cili ka përfaqësuar me profesionalizëm interesat e komunave të Kosovës për më shumë se dy dekada. “Fyerjet ndaj tij janë të papranueshme dhe përbëjnë një sulm ndaj të gjitha komunave që ai përfaqëson,” deklaron AKK.

AKK njofton publikun se MAPL ka dështuar të ofrojë sqarime zyrtare lidhur me statusin e aplikimit për fondet e IPA III, çka mund të çojë në humbjen e financimit për një program jetik siç është Granti i Performancës, që ka kontribuar në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Bordi i AKK-së bëri thirrje për një tërheqje të menjëhershme të gjuhës fyese të përdorur në reagimin e MAPL-së dhe kërkoi një kërkesë falje publike për shpifjet ndaj Ibrahimit. “Bashkëpunimi institucional është thelbësor për të siguruar që komunat të vazhdojnë të kenë mbështetje dhe financim nga Bashkimi Evropian,” tha AKK.

Me këtë rast, AKK bën thirrje për partnerët ndërkombëtarë që kanë mbështetur për vite të tëra Grantin e Performancës Komunale të ndjekin me kujdes ngjarjet e fundit, pasi kjo situatë rrezikon standardet e transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e këtij programi.

Disa ditë më parë, MAPL kishte reaguar ndaj akuzave të AKK-së, duke theksuar se ato nuk përbëjnë asgjë të re. “Akuzat janë vetëm përpjekja e drejtorit të OJQ-së, Sazan Ibrahimi, që të paraqesë interesat private si interesa të përgjithshme të komunave,” tha MAPL në reagimin e saj.

PROMO

Nga Rubrika