Real Madridi vazhdon të ndërtojë themelet e së ardhmes me një strategji të qartë për të garantuar stabilitet dhe cilësi në repartin difensiv për vitet në vijim. Pas transferimit të Dean Huijsen, mbrojtësit spanjoll 19-vjeçar, që ka firmosur deri në qershor 2030, tashmë, sipas të përditshmes spanjolle “AS”, madrilenët kanë arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës së një tjetër talenti të madh, Raul Asencio.
Asencio do të qëndrojë në “Santiago Bernabéu” deri në vitin 2031, me një rritje të ndjeshme të pagës si shpërblim për paraqitjet e shkëlqyera gjatë sezonit të fundit. Më shumë sesa kaq, Real Madridi ka përfshirë në kontratën e tij një klauzolë largimi prej 1 miliard euro, duke ndjekur traditën e klubit për të “blinduar” yjet e së ardhmes.
22-vjeçari ka zhvilluar 23 ndeshje në La Liga me ekipin e parë, këtë sezon, duke qenë titullar në 18 prej tyre. Ai ka grumbulluar 1.671 minuta lojë në total. Debutimi i tij erdhi më 9 nëntor 2024 në fitoren 4-0 ndaj Osasuna, ku Asencio spikati me një asist spektakolar për Jude Bellingham.
Ndeshja e parë si titullar ishte më 24 nëntor 2024, në triumfin 3-0 kundër Leganés. Që atëherë, Asencio u bë pikë e qëndrueshme në mbrojtjen e ekipit të Carlo Ancelottit, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e linjës mbrojtëse të skuadrës.
Në total, mes La Liga-s, Champions League, Kupës së Mbretit dhe Kupës Interkontinentale, mbrojtësi i ri ka luajtur 42 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke kaluar shifrën e 3.000 minutave në fushë. Performanca e tij ka bindur plotësisht drejtuesit e Real Madridit që ta shpërblejnë me një kontratë të re dhe ta konsiderojnë pjesë të projektit afatgjatë.
Asencio ka treguar të jetë më shumë se thjesht një mbrojtës. Ai ka dhënë kontribute të rëndësishme në ofensivë, duke bërë asistime të rëndësishme dhe duke u angazhuar në ndihmën për sulmuesit. Qëndrimi i tij në teren dhe ndihmesa në krijimin e lojës janë faktorë të rëndësishëm për ekipin e Carlo Ancelottit.
Real Madridi tashmë ka themelet për një mbrojtje solide në dekadën e ardhshme, me dy qendërmbrojtës të rinj dhe shumë të talentuar si Huijsen dhe Asencio, të cilët do të jenë boshti i prapavijës së “Los Blancos” në vitet që vijnë. Kombinimi i aftësive të tyre fizike dhe teknike është çelësi për suksesin e ardhshëm të klubit spanjoll.
Investimi në rinovimin e Asencio dhe Huijsen tregon qartë se Real Madridi është i fokusuar në zhvillimin e talenteve të reja për të siguruar një të ardhme të ndritur. Duke dërguar një mesazh të fortë për rivalët e tyre, “Los Blancos” janë në rrugën e duhur për të ndërtuar një skuadër konkurruese që do të sfidojë për tituj në vitet e ardhshme.