Pas një sezoni me sfida dhe triumfe, Tijjani Reijnders shprehet me pasion për dashurinë e tij ndaj fanellës së Milanit.
“Milano është kuqezi, sepse këtë sezon Interi nuk na ka mposhtur asnjëherë. Kemi treguar çfarë dimë të bëjmë, derbi i fundit ishte më i miri nga pesë që kemi luajtur.” Këto fjalë vijnë nga një lider i vërtetë. Edhe pse sezoni ka pasur ulje-ngritje për Milanin, holandezi ka kontribuar ndjeshëm dhe ka qenë një nga notat më pozitive. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Reijnders ndan mendimet e tij për rëndësinë e Kupës së Italisë dhe rolin e tij në skuadër.
Këtë sezon keni arritur të shëni 15 gola dhe të jepni 4 asistime…
“Çdo lojtar dëshiron të shënojë dhe të asistojë për shokët. Edhe më parë kam qenë afër golit, por tani po shënoj më shumë. Kam punuar shumë që të përmirësohem, duke diskutuar me të dashurit e mi, sidomos me babin tim Martin dhe vëllain Eliano. Ata më ndihmuan të kuptoj se si të kontribuoj më shumë në skuadër. Kam ndjerë një ndryshim të madh në aspektin mendor. Tani, kur gjuaj ose kërkoj një pasim, jam më i përqendruar dhe veproj me qetësi.”
Pse është e vështirë të qëndroni konstant në kampionat?
“Nuk ka një shpjegim të thjeshtë për këtë, përveç faktit që nuk kemi pasur stabilitet në paraqitjet tona. Në Serie A, kemi humbur shumë pikë që na kanë kushtuar. Një rast i mirë është fitorja në ‘Bernabeu’ kundër Realit që u pasua nga një barazim në Cagliari. Nëse dëshiron të luftosh për titull, nuk mund të lejojmë që të ndodhin këto gabime. Duhet të jemi më të fortë në këtë pjesë të sezonit dhe jam i bindur se do të përmirësohemi.”
Disa klube të mëdha janë të interesuara për ju, por ju keni vendosur të rinovoni me Milanin deri në vitin 2030…
“Të jetosh në Itali dhe të luash për një klub si Milan ishte ëndrra ime që fëmijë. Familja ime është e lumtur këtu, prandaj kur më ofruan rinovimin, ishte një vendim i lehtë. Jam falënderues ndaj klubit që tregoi vullnetin e tij të madh për të më mbajtur këtu.”
Te Milani, fitimi i trofeve është prioritet…
“Fitorja e Superkupës ishte fantastike dhe më dha emocione të papërshkrueshme. Ajo më bëri të dëshiroj akoma më shumë trofe me këtë fanellë. Të jesh në finale e Kupës së Italisë është një mundësi e shkëlqyer. Duhet të shkojmë në Romë me një qëllim të vetëm: të fitojmë kupën. Bologna është një kundërshtar i fortë që luan futboll të bukur me zotërim të topit. Ata kanë cilësi të lartë, sidomos nga krahët, prandaj do të jetë një finale e vështirë. Megjithatë, krahasuar me ndeshjen tonë të fundit ndaj tyre në kampionat, ne e luajmë ndryshe tani dhe jam optimist për një rezultat më të mirë.”
Si e vlerësoni punën e trajnerit Conceição?
“Ai ka shumë merita për arritjen në finale. Moduli i ri përshtatet mirë me karakteristikat e ekipit tonë. Ka gjithmonë hapësirë për përmirësim, por ndjehem se jemi në rrugën e duhur.”
Cila është ëndrra juaj më e madhe?
“Të fitoj trofe. Këtë sezon, gjithashtu kemi mundësi për të fituar dy kupa, por në të ardhmen, ëndrra ime më e madhe është të vendos yllin e dytë mbi stemën e Milanit. Jam i dashuruar me këto ngjyra, është një nder i madh ta vesh këtë fanellë.”