Një valë zemërimi dhe protestash ka përfshirë qytetin e Nishit, ku mijëra studentë dhe qytetarë janë mbledhur për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë serbe.
Protesta, e njohur si “Edikti Studentor”, është tubimi i pestë masiv që nga tragjedia e rëndë e 1 nëntorit, kur shembja e një strehimi në stacionin hekurudhor të Novi Sadit mori jetën e 15 personave. Kjo ngjarje tragjike ka ndezur revoltën në të gjithë vendin, duke e kthyer lëvizjen studentore në një sfidë të drejtpërdrejtë për presidentin Aleksandar Vuçiq.
Protesta filloi në orët e para të mëngjesit, kur studentët nga fakultete të ndryshme të Nishit nisën marshimin e tyre drejt qendrës së qytetit. Rrugët u mbushën me pankarta, thirrje kundër qeverisë dhe një valë solidariteti nga banorët e qytetit, të cilët iu bashkuan protestës. Trafiku në qendër u bllokua tërësisht, ndërsa organizatorët deklaruan se protesta do të zgjasë deri në orën tre pas mesnate.
Studentët kanë bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm për të arritur në Nish. Ata kanë marshuar për ditë të tëra, duke përshkuar qindra kilometra, disa madje duke vrapuar në ultra-maratonë ose duke përdorur biçikleta. Në çdo qytet dhe fshat nga i cili kaluan, ata u pritën me ovacione, mbështetje nga qytetarët dhe ndihmë logjistike në formën e ushqimit dhe strehimit. Kulmi i emocioneve arriti mbrëmë, kur studentët u pritën me fishekzjarrë dhe një qilim të kuq në hyrje të Nishit, si një simbol i përkushtimit të tyre ndaj kauzës.
Emri i protestës, “Edikti Studentor”, ka një simbolikë të thellë historike. Ai i referohet Ediktit të Milanos të vitit 313, shpallur nga perandori Konstandini i Madh, i lindur në Nish (atëherë Naissus), i cili vendosi lirinë fetare në Perandorinë Romake. Organizatorët theksojnë se kjo protestë ka për qëllim jo vetëm përkujtime për viktimat e Novi Sadit, por edhe kërkesa për liri akademike dhe ndryshime rrënjësore në sistemin politik serb.
Protesta është planifikuar të zgjasë 18 orë në mënyrë simbolike, duke iu referuar kodit telefonik të Nishit, 018, i cili njëkohësisht është edhe një “thirrje për ndryshim”. Organizatorët nga Universiteti i Nishit theksojnë se ky është një moment kyç për të ardhmen e lëvizjes studentore në Serbi, e cila ka marrë përmasa të mëdha që nga nëntori i vitit të kaluar.
Nga 22 nëntori, protestat studentore janë kthyer në një lëvizje të fuqishme dhe kanë çuar në bllokimin e më shumë se 60 fakulteteve në të gjithë vendin. Shkaku kryesor i intensifikimit të revoltës ishte sulmi i mbështetësve të Partisë Përparimtare Serbe ndaj studentëve të Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd, të cilët po nderonin viktimat e tragjedisë me një minutë heshtje.
Përveç mbështetjes masive brenda Serbisë, protesta ka marrë vëmendje edhe në rajon dhe ndërkombëtarisht. Protestuesit kryejnë çdo ditë një akt simbolik të kujtimit dhe rezistencës, duke ndaluar qarkullimin për 15 minuta, nga ora 11:52 deri në 12:07, pikërisht në kohën kur ndodhi shembja fatale e strehës.
Gjatë ditës, protestës pritet t’i bashkohen edhe grupe studentësh nga Kosova dhe rajone të tjera, duke e bërë këtë një nga protestat më të mëdha studentore në historinë e Serbisë moderne. Revolta në Nish po shihet si një sinjal i qartë i pakënaqësisë së madhe që po zien në Serbi, dhe mbetet për t’u parë se si do të reagojë qeveria e Vuçiqit ndaj kësaj sfide gjithnjë e më të fuqishme.
Još nije ni počelo. Niš !!! pic.twitter.com/tBBQwvoBc0
— Mirko Topalovic official (@mirkotopalovic7) March 1, 2025
15 minuta tišine na Trgu kralja Milana u Nišu 💔#niš #studentskiedikt pic.twitter.com/jh385nOYAj
— Mateja (@MATEJANIKOLlC) March 1, 2025