Askush nuk u shqetësua për humbjen ndaj Villarrealit (2-3). Tifozët blaugrana festuan në Montjuïc jo vetëm kampionatin, por mbi të gjitha këtë Barçë. Një skuadër e papërsosur, si të gjitha gjërat emocionuese, por ndoshta më “cruyff”-iane që nga koha e vetë Cruyff-it.
Barça e Flick, siç do të mbahet mend, këtë sezon arriti një sukses më domethënës se La Liga: bëri që askush nga tifozët të mos dojë të humbasë asnjë ndeshje, pavarësisht se çdo 90 minuta janë si krizë nervash.
“Flick është shumë i guximshëm me linjën e ‘offside’. Në fillim na u desh pak kohë për të gjetur ekuilibrin. Besoj se ndonjëherë e kemi çuar në ekstrem këtë lloj rreziku me pozicionin jashtë loje, madje edhe unë nga shtëpia ndjehesha i trullosur”, – pranoi mes të qeshurave Ter Stegen gjatë festimeve.
Barcelonizmi po ndihet sërish krenar, sepse skuadra e tyre luan pa frikë. Flick, një figurë që ka krijuar konsensus të paparë më herët, ka arritur të ndryshojë mentalitetin e tifozit blaugrana, i cili edhe kur sheh ekipin pranë një disfate, është i bindur se do ta përmbysë rezultatin.
Ky revolucion drejtohet nga një trajner që ka rrëzuar disa stereotipe të rëndësishme. Më i theksuari ishte ai që thoshte se nuk mund të kesh sukses në pankinën e Barcelonës pa e njohur ambientin. Flick ka treguar të kundërtën; se mosnjohja e gjuhës dhe të qenit në një “flluskë” të vogël mund të luajë në favorin tënd. Edhe më befasuese ka qenë mënyra se si ai është lidhur me dhomën e zhveshjes, përkundër barrierës gjuhësore.
Visca el Barça i Visca Catalunya! pic.twitter.com/1au7PATwsv
— FC Barcelona (@FCBarcelona) May 18, 2025
Ndjesia e “familjes” ka qenë çelësi për ta çuar Barçën në një nivel tjetër dhe për ta shndërruar skuadrën në më të këndshmen për t’u parë. Lamine Yamal, “ylli polar” i kësaj Barcelone, shkëlqeu sërish në ndeshjen e fundit të sezonit në Montjuïc. Një humbje ndaj Villarrealit në stilin e kësaj Barçe, me pesë gola në total. Trajneri gjerman zgjodhi më shumë titullarë nga sa pritej.
Lamine, gjeniu nga Rocafonda, tregoi edhe një herë se është fenomen. Ai ka arritur tashmë në 18 gola dhe 21 asistime, me një tjetër gol të llojit “markë e regjistruar”. Një goditje me trajektore të pamundur, që nga sa shpesh e përsërit, duket si e thjeshtë kur del nga këmbët e tij.
“Kanë kaluar shumë vite që ndaj dhomën e zhveshjes me Lamine. I kam parë të gjitha nga ai dhe ju them se ende ka gjëra për të treguar. Duhet të vazhdojë të luajë sikur të ishte në oborrin e shkollës”, – përmblodhi Cubarsí.
Montjuïc-i u trondit nga emocionet, teksa Ter Stegen ngriti trofeun. Turma thërriste emrin e Flick dhe nuk mund të ndalonte së qeshuri duke parë Lamine të kërcente me “Cat”, maskotën që ka ardhur për të qëndruar. Trajneri gjerman dukej se po shijonte spektaklin në prapaskenë, në fushë.
“U thashë lojtarëve se e meritojnë këtë festë. E kam ndjerë gjatë gjithë sezonit lidhjen me tifozët. Parakalimi me autobus ishte i pabesueshëm, sidomos për mua si gjerman”, – pranoi ai. Në atë që mund të ketë qenë ndeshja e fundit në “malin magjik”, barcelonizmi festoi Barçën e vet në një harmoni të përkryer.
“Visca el Barça dhe visca Catalunya”, – përshëndeti Flick përmes kamerave të klubit.