Në një intervistë emocionuese me Oriana Sabatini në podkastin “Where We Go When Dreams”, Claudia Villafañe, dashuria e madhe e Diego Armando Maradonës, ka hapur dyert e privatësisë së saj për të treguar jetën me “Pibe de Oro”. Nga adoleshenca te ndarja e dhimbshme dhe pritja e gjatë për drejtësi, sipërmarrësja dhe organizatorja e dasmave ka folur si kurrë më parë, veçanërisht për mënyrën se si “komunikon” me ish-futbollistin, pas vdekjes së tij.
“Vij nga një familje tradicionale, shumë normale, – rrëfen Claudia. – Prindërit e mi kanë punuar gjithmonë. Jetonim me gjyshërit nga nëna, motrën time, babanë, mamanë, unë dhe gjyshërit në Desaguadero dhe Baigorria, afër burgut të Devotos. Aty u rrita deri në moshën 12-vjeçare”.
Gjyshi italian, që kishte mbërritur në Argjentinë në moshën 9-vjeçare, ka lënë gjurmë të thella në familje. Falë tij, Claudia arriti vite më vonë të merrte shtetësinë italiane: “Jemi një familje shumë e bashkuar, besoj se lind me këtë ndjenjë. Pastaj varet nga personaliteti i gjithsecilit. Nuk më ka shkuar kurrë në mendje çfarë do të përjetoja apo si do të bëhej jeta ime, por nuk pendohem për asgjë. Do ta bëja sërish të njëjtën gjë”.
Kur ishte e vogël, ëndërronte të studionte për ekonomi; i pëlqente matematika, por nuk pati mundësi ta vazhdonte shkollën pasi në moshën 14-vjeçare u dashurua me Diego Maradonën. Ky moment do të shënonte një kthesë të rëndësishme në jetën e saj, duke e bërë atë të përjetojë ngjarje që shumica e njerëzve mund të dëshironin vetëm ta imagjinonin.
Dashuria me Diegon lindi në mënyrë krejt të rastësishme: “Ai ishte zhvendosur në një apartament ngjitur me shtëpinë time në Villa del Parque. Unë isha 14 vjeç, ai 15. Argentinos Juniors i kishte dhënë një apartament përballë shtëpisë sime. Ishte fat, unë sapo do të filloja vitin e tretë të shkollës së mesme në atë kohë”. Ky fillim ishte vetëm hapi i parë në një histori dashurie që do të kalonte përmes sfidave dhe lumturive të mëdha.
Në moshën 20-vjeçare, ajo udhëtoi drejt Barcelonës dhe më pas Napolit për ta ndjekur në karrierë. “U largova pa jetuar bashkë me të. Bashkëjetesa nuk ekzistonte atëherë. Imagjino të largoheshe pa u martuar, çfarë thonin njerëzit…” – kujton ajo, duke iu referuar kohëve kur normat shoqërore ishin shumë të ndryshme. Martesa erdhi vetëm në vitin 1989, kur tashmë kishin lindur vajzat Dalma dhe Gianinna, duke i dhënë familjes një ndjenje të fortë përunitet dhe përkushtim.
Vdekja e ish-bashkëshortit ishte shumë e vështirë për Claudia; ajo shprehet se ndien një pikëllim të thellë që Diego nuk pati mundësi të shijonte rritjen e nipërve dhe mbesave. “Nuk e njohu kurrë Azul, vajzën më të vogël të Dalmas, vetëm Roma. E donte shumë Benja, shkonte me avion për ta vizituar kur jetonte në Madrid. Benja e mban mend. Edhe Roma, edhe pse e pa shumë pak, e kujton. Edhe Azul e përmend sikur ta ketë njohur, por nuk është ashtu. Këto gjëra më dhembin shumë, sidomos kur mendon çfarë ndodhi dhe që ende po presim drejtësi” – tha ajo, duke iu referuar procesit gjyqësor për vdekjen e Maradonës, një çështje që ka ngjallur debat dhe shqetësim në publi.
Pas ndarjes, Claudia dhe Diego ruajtën një marrëdhënie të mirë dhe takoheshin shpesh në evente familjare. “Edhe pse ishim ndarë, ndanim shumë gjëra bashkë: darkat me vajzat, ditëlindjet e Benja, prezantimet e Dalma, Giani, gjithçka. Një udhëtim i gjatë, me të bukurat dhe të këqijat e veta. Gëzime, trishtime”. Ky bashkëpunim dhe respekt i ndërsjellë ka ndihmuar që të dy të menaxhojnë marrëdhënien e tyre pas ndarjes në një mënyrë që ishte e mirë për familjen e tyre.
Ajo që preku më shumë ishte rrëfimi i saj se ende “flet” me Maradonën: “Ndonjëherë flas me të. Kur je vetëm edhe mendon: More, ti duhej të ishe këtu, të shijoje shumë gjëra…” E thënë kjo, ajo gjithashtu shpreh shqetësimin e saj për vajzat e saj. “Ka gjëra që më dhembin më shumë kur kanë të bëjnë me vajzat e mia”. Ajo i referohej gjithmonë procesit në të cilin janë përfshirë Dalma dhe Gianinna, të cilat kanë premtuar se do të bëjnë gjithçka për të bërë drejtësi për babain e tyre. Ky angazhim i vazhdueshëm tregon forcën e lidhjeve familjare, edhe përballë tragjedive dhe sfidave që jeta u ka paraqitur.