E shtunë, 5 Tetor, 2024
13.8 C
Pristina

RrGK reagon për punësimet në RTK: Po diskriminohen gratë kandidate për pozita vendimmarrëse

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar lidhur me punësimet e fundit në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), ku thuhet se tri gra kandidate për pozita vendimmarrëse janë diskriminuar për shkak të gjinisë.

Një hulumtim i bërë nga portali kallxo.com, zbardh diskriminim që u është bërë kandidateve Ilire Zajmi, Flora Durmishi dhe Mihrije Beiqi, të cilat edhe pse janë notuar me më së shumti pikë në konkurset ku kanë aplikuar në RTK, asnjëherë nuk janë emëruar në ato pozita.

Sipas hulumtimit, arsyeja kryesore përse këto gra nuk kanë arritur të gëzojnë vendet e punës për të cilat janë kualifikuar me meritë, ka të bëjë me faktin se ato janë gra, marrë parasysh që në ato pozita janë emëruar burra.

“Të dhënat e fundit nga ASK tregojnë se në vitin 2020 pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore të Kosovës ishte vetëm 14,1%, ndërsa hulumtimi i RrGK “Diskriminimi me Baze Gjinore dhe Punësimi” ka identifikuar disa shkaqe për mos pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore, ku përfshihen: mbizotërimi i roleve gjinore shoqërore, sipas të cilave disa njerëz ende besojnë se roli i grave është të punojnë në shtëpi; mungesa e kujdesit të përballueshëm dhe të arritshëm për fëmijët; stereotipet gjinore lidhur me profesionet; nivel i ulët i posedimit të pronave në pronësi (17% e të gjitha pronave) që pengon qasjen në kapital; puna e padokumentuar në ekonominë joformale; dhe klima e përgjithshme e dobët ekonomike”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

Sipas tyre, duke qenë i vetmi medium publik, Radio Televizioni i Kosovës ka edhe përgjegjësi emancipuese dhe duhet të jetë shembull i respektimit të ligjit dhe promovimit të vlerave të barazisë gjinore në shoqërinë kosovare.

“Andaj, me këtë reagim ne duam të mbështesim këto gra dhe të gjitha gratë që kanë synime për pozita vendimmarrëse të qëndrojnë të forta dhe të mos dorëzohen nga presionet që mund të iu behën dhe përmes rrugës ligjore t’i fitojnë të drejtat e tyre”.

“Ne po ashtu i bëjmë thirrje Bordit të RTK-së që të jenë të kujdesshëm dhe ta respektojnë legjislacionin vendor e të mos diskriminojnë gratë por të mbështesin dhe të promovojnë ato të cilat edhe pse veprojnë në një ambient të zënë nga burrat, marrin guximin dhe duke u bazuar në profesionalizmin e tyre konkurrojnë dhe duan të promovohen në pozitat që i meritojnë”, përfundon reagimi. /Telegrafi/

Nga Rubrika