Web Analytics

Sindikata e Policisë i konsideron të papranueshme propozimet e Qeverisë: Shtesat të mos jenë më të ulëta se 105 euro

Botuar nga: InfoKosova

Në mbledhjen mbajtur me datë 30.10.2023, Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka analizuar zhvillimet e fundit duke përfshirë edhe propozimin e Qeverisë për shtesat për rrezikshmëri.

Sindikata e Policisë së Kosovës thotë se përkrahë të gjitha kërkesat e arsyeshme dhe legjitime të secilit zyrtarë policorë dhe punonjësve tjerë mbështetës të Policisë së Kosovës.

“Sa i përket propozimit të Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë, vlerësojmë se janë të ulëta dhe nuk e arsyetojnë punën dhe rrezikshmërinë në Policinë e Kosovës, prandaj janë të pa pranueshme për secilën kategori, janë diskriminuese për të gjitha njësitë, sepse të gjithë zyrtarët policorë përballen çdo ditë me rrezik dhe kjo e dëshmon me numrin e zyrtarëve policorë që e kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Sindikata e Policisë së Kosovës thotë tutje se mbron interesat e të gjithë pjesëtarëve të policisë me qëllim të përmirësimit të mirëqenies dhe kushteve për punë, këtë e bënë në mënyrë të organizuar, në konsultim dhe koordinim me anëtarësinë e vet.

Nga takimi i mbajtur, Këshilli Drejtues doli me këto kërkesa:

1.Shtesa për rrezikshmëri të mos mbetet më e ulët se ajo që është pranuar para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave, që ka qenë në shtatë nivele duke filluar nga 105 euro dhe më larta 215 euro, ose me përqindje në pagën bazë duke filluar nga 25% deri në 50%.

2.Ndërsa për stafin civil, koeficienti të harmonizohet me vendin e punës dhe profesionet që i kryejnë.

“Pakënaqësia te të gjithë pjesëtarët e Policisë është e madhe, prandaj kërkojmë që në afat sa më të shkurtë të bëhet realizimi i këtyre kërkesave dhe kërkesave paraprake me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe mirëqenies në Policinë e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim./Telegrafi/

Të FUNDIT