Web Analytics

Takimi Kurti-Vuçiq, nga Deklarata për të Zhdukurit në ‘hendekun’ për Asociacionin

Botuar nga: InfoKosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq vazhdojnë te kenë qëndrime diametralisht të kundërta lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kështu deklaroi shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ndonëse tha se palët në dialog (Kosova dhe Serbia) kanë dallime shumë të mëdha, Borell gjeti vend për optimizëm, duke thënë se në takimin e sotëm “morën një hap simbolik” drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Pikëpamjet e palëve janë shumë të ndryshme për natyrën e këtij Asociacioni. Nuk kam pritur gjë tjetër. Unë kam qenë i sigurt se palët kanë pikëpamje të ndryshme, por edhe nëse nuk janë pajtuar, ato kanë rënë dakord për t’i filluar negociatat për të ardhmen e Asociacionit”, tha Borrell.

“Unë dua t’i nxis të dyja palët që të angazhohen në këtë proces në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim dhe të jenë të gatshme për të arritur kompromise”, shtoi ai.

Ndërsa, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, fajësoi palën kosovare për mos arritjen e marrëveshjes për formimin e Asociacionit.

Ai po ashtu tha se për “çështjen kyçe” të formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, është e qartë se “Prishtina nuk dëshiron ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë viteve më parë”.

“Për mua ishte e qartë. Sot arritëm të mbështetemi në mur. Është e papranueshme për ta në draft për shkak të Kushtetutës së Kosovës, që nuk duan një Republikë Srpska të re. Dhe pastaj arritëm në pikën e tretë, që është situata aktuale. Pas zgjedhjeve të turpshme dhe jolegjitime në veri të Kosovës, ku votuan 3.4 për qind. Si të tejkalohet situata aktuale. BE-ja doli me propozimin e saj, unë e pranova, Prishtina e refuzoi”, tha presidenti i Serbisë pas takimit.

Vuçiqi tha se shpreson që deri në raundin e ardhshëm në nivel teknik do të ketë një reagim nga të tjerët që mund të “ndikojnë në ndryshimin e qëndrimeve të tilla”.

“Përndryshe, kam frikë se të gjithë jemi në një qorrsokak të madh. Unë nuk jam optimist, por mund të premtoj se do të bëjmë çmos për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, tha Vuçiq.

Kryeministri Kurti, duke folur për Draftin e Statutit të Asociacionit të prezantuar nga pala serbe, tha se ai dëshmon dëshirën serbe për “Republika Srpska” në Kosovë.

Kurti tha se në takimin e sotëm kanë dëgjuar Ekipin Menaxhues që ka prezantuar një draft-statut teksa shtoi se nga ajo se çfarë ka lexuar, ai është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën e ligjshmërinë.

“Në këtë takim të sotëm, pas marrëveshjes për të pagjeturit, ne e dëgjuam me durim dhe vëmendje Ekipin Menaxhues që prezantoi një draft-statut me gjithsej 67 nene dhe më pastaj dhamë qëndrimin tonë se një draft-statut i tillë. Çfarë dëgjuam e lexuam, është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën, ligjshmërinë, demokracinë, vlerat evropiane, të drejtat e njeriut, të pakicave sipas standardeve evropiane. Përkundër kësaj do të jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje andaj me këtë rast propozova një draft-vizion si kryeministër i Kosovës përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike duke pasur në konsideratë edhe nenin 10″, ka deklaruar Kurti.

Më tej, kreu i ekzekutivit kosovar tha se ka propozuar një draft-vizion se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet, çfarë do të duhej të ishte korniza e cila rregullon çështjen e komuniteteve jo shumicë.

“Unë kam propozuar një draft vizion se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet, çfarë do të duhej të ishte korniza e cila rregullon çështjen e komuniteteve jo shumicë. Besoj që do të trajtohet me seriozitet nga ndërmjetësit sepse në atë mënyrë do të mund të ndërtojmë diçka të mirë, të drejtë, të dobishme për të gjithë jo vetëm për serbët sepse ata duhet të jetojnë në shtetin tonë të jenë anëtarë në shoqërinë tonë”, theksoi Kurti.

Kurti, përpara takimit, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Një ditë më herët, ai foli edhe me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili shprehu pritjet e SHBA-së për një takim konstruktiv mes Kurtit dhe Vuçiqit, si dhe për përparim në bisedime, sidomos për çështjen e Asociacionit.

Në takimin e sotëm, Kurti dhe Vuçiq fillimisht miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.

Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, që kryesoi takimin Kurti-Vuçiq, tha se BE-ja e mirëpret miratimin e kësaj deklarate dhe pret që “palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur”.

“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve”, tha, mes tjerash, Borrell.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, duke thënë se fati i të zhdukurve me forcë ka qenë prej kohësh një plagë e thellë në shoqërinë tonë.

“Familjet që vazhdojnë të kërkojnë vendndodhjen e të dashurve të tyre, të cilët u zhdukën me forcë nga regjimi i Millosheviqit dhe përmes një sistemi të krimeve të luftës dhe gjenocidit të sponsorizuar nga shteti, kanë mbi dy dekada që mbajnë këtë barrë të rëndë në zemrat dhe në emër të një vendi të tërë”, tha ajo.

Deklaratën për të Zhdukurit e mirëpriti Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, i cili tha se Serbia, për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar, pranoi t’i hapë arkivat e saj shtetërore, përfshirë edhe ato të klasifikuara, në lidhje me çështjen e të zhdukurve.

Edhe Nysrete Kumnova nga Shoqata “Thirrjet e nënave”, vlerësoi se Kryeministri i Republikës së Kosovës veproi siç duhet me Deklaratën për Personat e Zhdkur.

“Kjo deklaratë për familjarët është një deklaratë e dhimbshme, por e gëzueshme pasi që janë rënë dakord që më të dashurit tone të mos mbesin në token e kriminelëve. por të kthehen në Kosovë, në vendlindjen e vet. Aty ku kanë lind edhe të varrosen”‘, ka thënë ajo gjersa ka theksuar se “mendoj që Kurti nuk gabon në veprimet që i merr dhe kanë të drejtë edhe ata të kthehen në vendlindjen e vet”.

Ndërsa, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, miratimin e Deklaratës për të Zhdukurit e ka quajtur “gabim ahistorik” të Kurtit.

“Sot ishte përvjetori i masakrës në Studime, ku 116 civil të pambrojtur, gra e burra, pleq e fëmijë, u vranë brutalisht nga aparati shtetëror i Serbisë. Po sot, Kryeministri Kurti bëri një gabim ahistorik”, tha ajo.

I pakënaqur me këtë dokumet u shpreh edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Ai përmes një reagimi në Facebook ka thënë se sot në Bruksel, Kosovës iu bënë edhe dy dëme të pariparueshme nga Albin Kurti.

Së pari, ai thotë se “Kosova u barazua me Serbinë, duke u trajtuar si dy palë të barabarta në krimet që janë kryer në vendin tonë”.

Kurse dëmi i dytë sipas Molliqajt është pranimi i termit persona “të zhdukur me forcë” në vend të “të zhdukur me dhunë”. /Telegrafi/

Të FUNDIT