Pamjet nga koncerti i Coldplay në Boston, ku dy drejtues të një kompanie u filmuan nga “Kissing Cam” teksa përqafoheshin, kanë bërë xhiron e rrjetit.
Në qendër të vëmendjes janë CEO i “Astronomer”, Andy Byron, dhe drejtoresha e Burimeve Njerëzore, Kristin Cabot, të cilët u shfaqën në ekranin gjigant të koncertit, megjithëse janë të martuar – por jo me njëri-tjetrin.
Ngjarja, që tashmë po quhet nga përdoruesit në internet si “ColdplayGate”, ka ngritur diskutime për etikën në vendin e punës dhe ka ndezur reagime të shumta në rrjet, ku janë shpërndarë meme dhe komente që lidhen me situatën.
Në mes të këtij reagimi masiv, shumë përdorues pretenduan se seriali i njohur “The Simpsons” e kishte parashikuar këtë episod. Ata lidhën incidentin me një episod të vjetër të serialit, ku personazhet kryesorë Homer dhe Marge Simpson shfaqen në një Kissing Cam gjatë një ndeshjeje bejsbolli.
Megjithatë, kontrolli i fakteve tregon se imazhet që po qarkullojnë në rrjet nuk janë pjesë reale e serialit. Bëhet fjalë për imazhe të krijuara me inteligjencë artificiale dhe jo për një episod ekzistues të “The Simpsons”.
Pretendimi për një “parashikim” të radhës nga seriali është thjesht pjesë e ciklit viral të lajmit, pa bazë faktike.