E enjte, 5 Dhjetor, 2024
4.1 C
Pristina

​Varfëria dhe kriza e strehimit, kryefamiljari: Fëmijët i mbajmë veç nëpër mjekë

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

Dimrit i mbajmë fëmijët vetëm nëpër mjekë për shkak të lagështirës në shtëpi. Kështu thotë prindi i dy fëmijëve, pesë dhe katër vjeç, të cilët nuk i gëzojnë as kushtet elementare për jetesë.

Përveç banimit me qira, që rrezikohen të dëbohen ditë pas dite, familja Tahiri shpreh nevojën edhe për gjëra ushqimore.

Merita Tahiri thotë se përveç banimit, nuk kanë mundësi të sigurojnë ushqimin e as rrobat për fëmijët. Ajo tregon se për shkak të qarjes së murit, shiu depërton brenda dhomës.

Tahiri thotë se komuna nuk ka marrë parasysh kërkesat për ndihmë. Ajo shprehet se nevoja më e madhe e kësaj familje është sigurimi i një shtëpie.

“Kushtet shumë të vështira janë, nuk po kemi. Fëmijët po kërkojnë të hanë dhe të vishen, ne nuk po kemi. Dimrit shumë ftohtë është, shumë ftohtë….Hyn shiu aty (në shtëpi), pikon, është çarë. Një dhomë e kemi edhe asgjë tjetër, edhe banjon, asgjë tjetër. E kam një vajzë dhe një djalë. Vajzën kam në shkollë, klasën e parë. Djali i ka katër vjet. Vajza po kërkon libra, lapsa, ne nuk po kemi mundësi. Për gjëra ushqimore si ia bëni? Marrë ndihma nga pak na japin.

Kemi nevojë për ndihma. Jemi me qira, duhet të paguajmë qiranë. Po na thonë ‘dilni nga shtëpia’. Ne ku të shkojmë, nuk kemi ku të shkojmë. Sa e paguani qiranë? E paguajmë 160 euro. Më së shumti kam nevojë ta kem një shtëpi, t’i rehatojë këta fëmijë më së shumti edhe për gjëra ushqimore të na ndihmojë dikush. A keni bërë kërkesë për ndihmë në komunë. Kemi bërë kërkesë por asgjë. Nuk na ndihmojë fare”, thotë Tahiri.

Bashkëshorti i Meritës, Blerim Tahiri thotë se gjatë stinës së dimrit, për shkak të ftohtit që hyn në shtëpi, fëmijët sëmuren shpesh.

Derisa rrëfen për kërkesat që kanë fëmijët, e që nuk ka mundësi t’ua plotësojë, Tahiri thotë se nuk po i jepet mundësia të punojë.

Përveç këtyre, kryefamiljari Tahiri tregon se iu është mohuar e drejta për marrjen e ndihmës sociale.

“Ne kemi ardhur prej fshatit Koliq (Podujevë). A keni tokë atje? Jo. A punoni diku? Punoj privat ngapak. A e keni provuar të hyni në punë të rregullt me pagë komplet ose nuk jeni mirë me shëndet? Jo, nuk kam shikuar. Përse? Kur shkojsha më thoshin të lajmërojmë, të thirrim, më pas nuk më kanë thirrur më. Ju jeni ia aftë për punë, por nuk po gjeni punë? Jo, kam aplikuar, por nuk po më thërrasin. Nëse të gjendet puna, ju mund të punoni.

Po, mundem pa pikë problemi…Vetëm punë të jetë, s’ka problem. Jeta e vështirë, sepse në shtëpi të huaj është problem. Nesër të më thotë pronari ‘lëshoje shtëpinë’ ku të shkojë me fëmijët. Dimri është ftohtë, sepse ngrehë lagështirë këtu. A sëmuren fëmija shpesh? Dimrit më shumë vetëm nëpër mjek i mbajmë, a verës kurrë nuk sëmuren.Pse nuk merrni social? Një herë kur kemi qenë t’i rregullojmë (dokumentet), kanë thënë që ‘nuk të takon më sociali ty’. A të kanë dhanë arsye pse? Jo. Pastaj, ne nuk jemi shkuar fare”, tregon Tahiri.

Përkundër nevojës për asistencë sociale, kjo familje nuk e gëzon as këtë të drejtë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) gjatë muajit shtator të këtij viti, janë 18 mijë familje me 72 mijë e 329 anëtarë, të cilat marrin ndihmë sociale. Numri i familjeve të cilat jetojnë me asistencë sociale, ka shënuar rënie në krahasim me muajin janar të këtij viti, pasi që në muajin janar të vitit 2024, numri i familjeve me asistencë sociale, ishte mbi 20 mijë e 251 familje.

Ndërkaq, qyteti i Mitrovicës vazhdon të prijë me numrin më të madh të rasteve sociale, me 1 mijë e 819 raste. Pastaj është Vushtrria, me 1 mijë e 142 raste. Pas këtyre dy qyteteve, vjen Gjakova me 990 raste dhe Lipjani me 942 raste. Peja renditet pas Lipjanit me 911 familje, të cilat marrin asistencë sociale.

Sipas ASK-së, në shtator të vitit 2023 nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar mbi 20 mijë e 671 familje me 81 mijë e 113 anëtarë. Derisa në vitin 2022, në po të njëjtën periudhë, ishin mbi 24 mijë e 169 familje përfituese të kësaj skeme.

Ndërkaq, në nëntor të vitit 2021, ndihmë sociale kanë përfituar 25 mijë e 514 familje, ndërsa një vit më parë, në po këtë periudhë të vitit 2020, ky numër ishte 24 mijë e 496. Në krahasim me vitet pasuese, në vitin 2015, shifra e familjeve që kanë marrë asistencë sociale ishte më e lartë, duke arritur në 27 mijë 609 familje.

Ndërkohë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve brenda këtij viti ka paralajmëruar reforma në skemën për ndihmë sociale.

Zëvendësministri i Financave, Agon Dobruna tregon se nuk do të përjashtohen me automatizëm ata që punojnë, por do të marrin më pak mjete. Ndërkaq, ata që nuk kanë të hyra, do të përfitojnë më shumë.

“Ne jemi në fazën e pilotimit. Kemi reformuar komplet asistencën sociale në Kosovë me një projekt të Bankës Botërore, reformës AS. Do të ketë edhe avancim tutje, mirëpo do të ketë edhe ndryshime sa i përket pjesëmarrjes për arsye se qysh e dimë më herët ka qenë që nëse një person ka punuar, ka pasur të hyra është përjashtuar me automatizëm nga asistenca sociale. Ndërsa, tash do të ketë një fazë tranzitore…Nuk do të përjashtojmë askënd dhe do të ndihmojmë që ata që kanë më pak të hyra të kenë më shumë përfitim. Kjo është rritja e përqindjes, ata që kanë më pak të hyra do të përfitojnë më shumë…Besojmë që brenda këtij viti, nëse çdo gjë do të shkojë mirë dhe besoj që do të shkojë mirë”, tregon Dobruna.

Ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Prishtinë, Vehbi Mujku konsideron se varfëria mund të zbutet përmes krijimit të vendeve të punës për këtë kategori dhe jo rritja e ndihmave ose lëmoshave të tjera.

“Unë mendoj që ndihma më e mirë që qeveria mund ta jep është aftësimi për punë dhe inkuadrimi i tyre në vende të punës. Sidomos për ato familje që kanë persona të aftë për punë. Në zyret e punësimit është një numër shumë i madh i vendeve të lira të punës të cilët duhet të plotësohen dhe familjet në kategorinë e dytë, sepse ende është kategoria e parë dhe e dytë dhe kategoria e dytë janë punëkërkuesit aktiv.

Unë mendoj që të gjitha familjeve duhet t’iu ofrohet një punë e përshtatshme karshi përgatitjes së tyre të cilën e kanë dhe nëse nuk kanë një përgatitje adekuate profesionale, atëherë të ndiqen kurse në qendrat e aftësimit profesional dhe familjet të përgatiten dhe të hyjnë në tregun e punës, në mënyrë që të zbutet varfëria përmes punës, jo përmes rritjes së ndihmave ose lëmoshave të tjera të cilat jepen kohë pas kohë”, thekson Mujku.

Para pak ditësh edhe ministri i Financave, Hekura Murati ka njoftuar se 1 mijë e 824 familje në nevojë do të përfitojnë mbështetje financiare si pjesë e pilotimit të reformës së skemës së asistencës sociale në grupin e parë.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve, Murati potencon se anëtarët e aftë për punë mund të regjistrohen në Agjencinë e Punës si punëkërkues./kp/

PROMO

Nga Rubrika