E premte, 2 Maj, 2025
19 C
Pristina

Yamal mahnit me performancë epike në sfidën europiane të Barcelonës

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të InfoKosova në Youtube.

Ajo në stadiumin “Lluis Companys” të Montjuïc ishte një mbrëmje e çmendur dhe spektakolare, ku tifozët panë një ndeshje të paharrueshme mes Barcelonës dhe Interit. Ishte një mbrëmje emocionalesh të forta, kthesash të papritura dhe veprimesh të jashtëzakonshme.

Por mbi të gjitha, ishte mbrëmja e Lamine Yamal. Ende pa mbushur 18 vjeç (do t’i mbushë më 13 korrik), talenti katalanas e mori skuadrën mbi supe, e nxori nga një situatë shumë e ndërlikuar dhe i lejoi ta mbajë hapur çdo skenar për ndeshjen e kthimit.

Statistikat flasin për një lojtar që ka dominuar sulmin blaugrana. Yamal ishte lojtari që gjuajti më shumë (6 herë), që tentoi më shumë krosime (10), që realizoi më shumë driblime (6) dhe, ndoshta më befasuesja, ishte lojtari i tretë i fushës për topa të prekur (102), vetëm 5 më pak se Pedri dhe 10 më pak se De Jong, të cilët, në letër, duhet të jenë qendrat e qarkullimit të topit te katalanasit.

Pra, edhe pse luante në krahun e djathtë, Yamal u kërkua vazhdimisht nga shokët e skuadrës (për krahasim, Raphinha në anën tjetër preku vetëm 63 topa), të cilët i besuan kreativitetit të tij për ta rikthyer baraspeshën, pas fillimit shokues të ndeshjes (disavantazhit 2-0).

Ai kreu 2 goditje në portë, goditi 2 traversa, kompletoi 46 pasime nga 61 (me një përqindje suksesi pak mbi 75%) dhe në të gjitha këto realizoi edhe një gol të shkëlqyer për 1-2, që e riktheu Barçën në lojë. Si “qershi mbi tortë”, asistoi me një lëvizje të zgjuar Raphinha në golin përfundimtar 3-3.

Shpesh statistikat mund të mashtrojnë, por në këtë rast përshkruajnë mirë se çfarë ndeshjeje ishte për djaloshin e lindur më 2007. Me të vërtetë një paraqitje prej lideri. Në një grup shumë të ri, më i riu nga të gjithë u bë lider, duke shtuar edhe një tjetër rekord në listën e tij tashmë të pafund djaloshare.

Për të përmendur disa: më i riu ndonjëherë që ka debutuar dhe shënuar me Barcelonën dhe kombëtaren spanjolle; më i riu që ka debutuar, shënuar dhe fituar një Europian; më i riu që ka qenë titullar në Ligën e Kampionëve dhe që nga e mërkura, më i riu që ka shënuar në një gjysmëfinale të Champions League. Supertalenti po ngre standardet në një nivel të ri.

Barcelona është në këmbët e tij, por edhe pjesa tjetër e Europës ka mbetur pa fjalë. Pas ndeshjes, trajneri i Interit, Simone Inzaghi, pranoi se nuk kishte parë një lojtar të tillë prej vitesh. Edhe një si Erling Haaland, që zakonisht nuk i jep komplimentet lehtë, komentoi me admirim: “Ky djalë është i jashtëzakonshëm” (shkroi në Snapchat). Ndërkohë, Marcus Thuram, përkundrazi, u shpreh me krenari kombëtare dhe për francezët e “Canal+” tha se Yamal është ndoshta lojtari i tretë më i mirë në botë për momentin, pas Mbappé dhe Dembélé, një gjë që në moshën 17-vjeçare nuk është pak.

Me një të kaluar tashmë të rëndësishme (100 paraqitje me fanellën e Barcelonës dhe 4 trofe të fituar mes klubit dhe kombëtares) dhe një të ardhmeje ende për t’u shkruar, mund të themi me siguri se kemi hyrë në epokën e Lamine Yamal. Suprizë, bravura dhe talent – të gjitha këto karakterizojnë këtë futbollist të ri, i cili ka lindur për të qenë lider. Sfidën e radhës do ta përbëjnë 80,000 tifozët në “San Siro”, një sprovë vendimtare si për të, ashtu edhe për Barcelonën, që ende ëndërron tripletën sezonale. Ata që e panë këtë ndeshje tani janë të bindur se Yamal mund të bëjë histori në futbollin europian dhe botëror.

PROMO

Nga Rubrika