Nga vendi tek këngëtarët, zbulohen detajet e super dasmës së Kidës dhe Ajbit
Çifti shumë i dashur për publikun do t’i japë fund beqarisë duke kurorëzuar dashurinë e tyre shumë shpejt, dhe ne kemi zbuluar detajet.
Kush do të jetë i ftuar dhe ku do të mbahet ceremonia? Këto janë pyetjet që kanë qarkulluar kudo, por më në fund kemi përgjigje konkrete.
E mbani mend si nisi e gjitha? Në dhjetor të 2024-ës, pikërisht në ditëlindjen e Kidës, ajo mori atë propozimin e bukur që bëri xhiron e rrjetit kudo. Tani, pas afro dy vitesh fejesë, pritjes po i vjen fundi dhe ata po e çojnë lidhjen e tyre drejt martesës..
Siç raporton Prive By Liberta Spahiu javë më parë, çifti do të martohet më 1 shtator të këtij viti.
Destinacioni që kanë zgjedhur është Roma. Por jo çfarëdo vendi. Ceremonia do të mbahet në një rezidencë historike të ndërtuar në fund të shekullit të 19-të nga një familje e njohur aristokrate italiane.
Bëhet fjalë për një ndërtesë të stilit neoklasik të pozicionuar në kodrën më të lartë të Romës, e cila ishte dizajnuar enkas për t’i ofruar shoqërisë së lartë një pamje panoramike të pandërprerë të qytetit të përjetshëm.
Sigurisht, ky nivel ekskluziviteti ka një kosto. Vetëm qiraja bazë e kësaj hapësire për evente fillon nga 20 mijë deri në 25 mijë euro, ndërsa kostoja totale me staf dhe organizim mund të kalojë lehtësisht 70 mijë euro.
Për sa i përket ushqimit, gjithçka do t’u besohet kompanive partnere me yje Michelin, ku kostoja e pjatave llogaritet deri në 300 euro për secilin të ftuar.
Përveç kësaj, vetëm ndriçimi dhe audio profesionale në një ambient kaq të madh kapin shifra deri në 18,500 euro..
