E hënë, 14 Tetor, 2024
13.8 C
Pristina

Çka pritet të diskutohet sot në Samitin e procesit të Berlinit?

Takimi i sivjetshëm i Samitit të procesit të Berlinit për të shënuar jubileun e 10-të vjetorit të saj është duke u mbajtur sërish në Kancelarinë Federale në Berlin.

Sipas agjendës të Publikuar nga Qeveria e Gjermanisë në këtë Samit pritet miratimi i planit të ri për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe një marrëveshje për lehtësimin e studimeve në vendet e rajonit.

Po ashtu bëhet e ditur se kancelari do të flasë me pjesëmarrësit e Procesit të Berlinit në dy takime pune dhe një drekë pune mbi temat “Bashkëpunimi Rajonal dhe Tregu i Përbashkët Rajonal”, “Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Lidhshmëria dhe Energjia” dhe drejtimi i ardhshëm i Procesi i Berlinit.

Përveç kësaj, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët mbi Planin e ri të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe marrëveshjen e lëvizshmërisë “Qasja në Studim”.

Do të ketë gjithashtu një takim të Forumit Rinor dhe të Shoqërisë Civile, i cili javën e kaluar u mblodh si pjesë e Procesit të Berlinit.

Më pas, në orën 14:00 është planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp mes Kancelarit gjerman dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ndërkaq, takimi i fundit në këtë format u organizua nga Shqipëria në Tiranë në tetor 2023 – hera e parë në një nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndryshe, ky është samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit, i cili u krijua në vitin 2014 si një format për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe për të mbështetur afrimin me BE-në. /Telegrafi/

Nga Rubrika