Ish-banorja e edicionit të katërt të “Big Brother VIP Albania”, Valbona Mhilli, është rikthyer në vëmendjen e publikut pas një interviste të sinqertë në emisionin “Në shtëpinë tonë”. E ftuar për të rrëfyer përvojën e saj brenda shtëpisë më të ndjekur në Shqipëri, Valbona foli hapur për emocionet, sfidat dhe thashethemet që e kanë ndjekur pas daljes nga formati.
Një nga temat që mori vëmendje të veçantë gjatë intervistës ishte një thashethem që qarkulloi fort në rrjete sociale dhe në media pas daljes së saj nga “BBVA 4” – pretendimi se ajo kishte lënë një lidhje jashtë për të hyrë në shtëpi. Pyetur nga gazetarja se cili ishte thashethemi më absurd që ka dëgjuar për veten, Valbona u ndal pikërisht te kjo çështje, duke e quajtur “të pavërtetë dhe të shpifur”.
“Po të kisha qenë në një lidhje, të paktën do ta kisha përshëndetur një herë në ‘BBVA’. Aty kam përshëndetur gjithë Shqipërinë, pse mos ta bëja edhe për dikë që do të më mungonte?”, u shpreh ajo me një dozë ironie. Më tej, Valbona sqaroi se gjithçka ishte një sajesë e disa figurave publike, të cilët, sipas saj, shfrytëzuan emrin e saj për protagonizëm dhe klikime.
Ajo përmendi me emër opinionisten Shqipja dhe Milaimin, duke theksuar se ky i fundit i kishte kërkuar falje më vonë. “Të dalësh e të shpifësh për një muaj e gjysmë, madje të përfshish edhe familjen time në këtë, është e turpshme. Motra ime, që s’ka lidhje me televizionin, u përfshi pa asnjë arsye në këtë histori. I është thënë se ‘motra jote ka pasur një marrëdhënie jashtë, e di unë’, pa pasur asnjë fakt”, rrëfeu ajo.
Pavarësisht kësaj situate të pakëndshme, Valbona tregoi një anë të fortë dhe të pjekur të saj, duke u shprehur se gjithçka e ka kaluar me sportivitet dhe se nuk ka asgjë për të fshehur. “Jam një libër i hapur, ndoshta edhe më e hapur seç duhet. Në të ardhmen ndoshta do më duhet të mbaj disa gjëra për vete”, tha ajo duke qeshur.
Me këtë intervistë, Valbona Mhilli jo vetëm që hodhi poshtë një herë e mirë çdo aludim për një lidhje të fshehtë, por tregoi edhe pjekuri, forcë karakteri dhe transparencë – cilësi që, sipas shumë ndjekësve, e bënë atë një nga figurat më të vërteta të “BBVA 4”.