Një incident i rrezikshëm është shënuar së fundmi pranë bazës ushtarake në Dumosh, ku sipas burimeve të Indeksonline, është vërejtur fluturimi i një droni që dyshohet se është lëshuar nga territori i Serbisë.
Pamjet e siguruara nga vendi i ngjarjes tregojnë qartë lëvizjen e objektit ajror mbi zonën e ndjeshme ushtarake, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Ky nuk është rasti i parë që Beogradi akuzohet për shkelje të hapësirës ajrore kosovare. Vetëm disa ditë më parë, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, konfirmoi se autoritetet kosovare janë duke hetuar një seri fluturimesh të dyshimta të dronëve mbi territorin e vendit.
“Beogradi zyrtar ka shkelur hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës me disa dronë. Ne jemi duke i hetuar në mënyrë profesionale, në bashkëpunim me KFOR-in, por edhe me shërbimet partnere. Në momentin që do të kemi më shumë informacione konkrete, ato do të ndahen me publikun,” kishte deklaruar Sveçla.
Në këtë linjë reagoi edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili theksoi se situata është duke u monitoruar nga afër në koordinim të plotë me forcat e KFOR-it, të cilat kanë nën përgjegjësi mbrojtjen e hapësirës ajrore të Kosovës.
“Gjatë ditëve të fundit kemi pasur disa raste të fluturimeve të dronëve, për të cilët dyshojmë fuqishëm se janë lëshuar nga territori i Serbisë, kryesisht në pjesën veriore të vendit. Policia e Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in dhe jemi duke monitoruar çdo lëvizje të tyre. Ky veprim është i rrezikshëm për kufirin dhe sovranitetin tonë, megjithatë, për qytetarët tanë nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë. Ne po ndërmarrim të gjitha masat për mbrojtjen e tyre, ndërsa hapësira ajrore mbetet përgjegjësi e KFOR-it, i cili është i angazhuar aktivisht për menaxhimin e kësaj situate,” deklaroi Hoxha të premten.
Ky zhvillim vjen në një periudhë tensioni të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, ku provokimet e vazhdueshme nga ana e Beogradit rrezikojnë jo vetëm sigurinë kombëtare, por edhe stabilitetin rajonal. Lëshimi i dronëve pranë zonave të ndjeshme ushtarake shihet si një akt i qëllimshëm provokues, që kërkon një përgjigje të koordinuar nga institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.
Pamjet ekskluzive të siguruara nga Indeksonline pritet të nxisin edhe më tej debatet rreth qasjes së Serbisë ndaj Kosovës dhe rolit të KFOR-it në garantimin e sigurisë ajrore./InfoKosova/
Shiko videon: