Tre persona janë arrestuar mëngjesin e sotëm në një aksion të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, nën dyshimin për kultivim dhe trafikim të narkotikëve.
Arrestimet lidhen me rastin e koduar “Vera 2024”, që kishte zbuluar një plantacion me rreth 3 mijë bimë narkotike dhe afër një ton marihuanë në fshatin Sverkë të Pejës gjatë vitit të kaluar.
“Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për luftimin e narkotikëve në Pejë, sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërmarrë një aksion, ku kanë arrestuar tre (3) persona nën dyshimin për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e bërë nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policisë së Kosovës.
Tutje, thuhet se ky aksion është rrjedhojë e hetimeve të ndërmarra nga prokurori i shtetit dhe Policia e Kosovës që ndërlidhen me plantacionet, rastin e koduar “Vera 2024”, ku gjatë vitit të kaluar janë sekuestruar rreth 3000 (tremijë) bimë narkotike dhe rreth një (1) ton narkotikë e llojit marihuan në fshatin Sverkë të komunës së Pejës.
Arrestimi i të dyshuarave është ekzekutuar nga Njësiti Special Intervenues në rajonin e Pejës dhe Gjakovës.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, tre persona e dyshuar janë ndaluar 48 orë dhe njëkohësisht janë sekuestruar dy automjete, tre telefona mobil dhe para kesh.
Prokurori i shtetit brenda aftit ligjor do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës se të pandehurve në procedurë penale.
Lidhur me këtë rast me herët me kërkesë të prokurorit të shtetit, janë arrestuar në shtetin e Republikës se Shqipërisë edhe tetë persona për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës./Telegrafi/