Ndarja e parakohshme nga jeta e këngëtarit Shpat Kasapi ka prekur thellë kolegët e tij të skenës, mes të cilëve edhe vokalistin e grupit legjendar “Elita 5”, Arif Ziberi.
Në një lidhje direkte televizive, Ziberi nuk ka mundur t’i mbajë lotët ndërsa fliste për mikun dhe kolegun e tij të ndjerë.
Ai shprehu vështirësinë emocionale për të vazhduar me angazhimet profesionale në një moment kaq të rëndë.
“Ky profesioni jonë është pak i vështirë, sepse ja përgatitem për të shkuar në rrugë se nesër kam koncert në Vlorë edhe në Shëngjin pasnesër… edhe nuk e di se si do të realizohet.
Nuk kam ndonjë informatë, pres që të më informojnë dhe të dimë diçka dhe të shkojmë ta respektojmë për herë të fundit,” u shpreh ai mes dhimbjes.
Lidhur me ceremoninë mortore, Ziberi konfirmoi se ende nuk ka një datë të saktë, pasi edhe familjarët janë në pritje të procedurave.
“Kam kontaktuar edhe familjarët e tij edhe ato nuk janë në dijeni.
Shpresoj që së shpejti të kemi ndonjë informatë,” tha ai.
Në fund, ai dha një mesazh prekës për shpirtin e artistit: “Ai do të shkojë me siguri me shpirtin e tij që ka pas, do të shkojë në një botë më të mirë besoj.”
