Një studim i fundit në Universitetin e Kalifornisë ka zbuluar se një proteinë e quajtur PER2 – e cila ndihmon në rregullimin e metabolizmit të yndyrës dhe ritmet e brendshme të trupit – ndryshon sjelljen tonë në varësi të llojit të yndyrave që konsumojmë.
Për njerëzit, shtimi në peshë gjatë dimrit nuk është thjesht një pasojë e zakoneve sezonale apo ushqimeve të ngrohta. Në fakt, ky fenomen është rezultat i një reagimi biologjik të trashëguar, që na shtyn të ruajmë energji kur ditët bëhen më të shkurtra. Kjo sjellje është e lidhur ngushtë me mënyrën se si trupi ynë reagon ndaj kushteve mjedisore.
Më pak dritë dielli gjatë dimrit ndikon në prodhimin e serotoninës në tru, një substancë që ndihmon në ndjenjën e qetësisë dhe lumturisë. Kur niveli i serotoninës bie, trupi fillon të dëshirojë karbohidrate, të cilat ndihmojnë në rritjen e këtij neurotransmetuesi. Kështu, ushqimet e pasura me karbohidrate bëhen veçanërisht tërheqëse gjatë muajve të errët.
Temperatura më të ulëta
Kur temperatura bie, trupi ynë shpenzon energji për t’u ngrohur. Ky proces, i njohur si termorregullimi, ndodh duke djegur glukozë ose rezervat e yndyrës. Kjo aktivizim i trupit nxit një reagim që na bën të përqendrohemi më shumë te ushqimi, duke e bërë më të lehtë të konsumojmë më shumë se sa na nevojitet.
Yndyra = mbijetesë
Një nga arsyet kryesore pse shtojmë peshë gjatë dimrit lidhet me avantazhin evolucionar të grumbullimit të yndyrës në klimë të ftohtë. Yndyra shërben si një rezervë energjie për të përballuar periudhat e mungesës së ushqimit, duke u bërë një strategji mbijetese e rëndësishme për njerëzit që jetonin në kushte të ashpra.
Ulja e aktivitetit fizik
Dimri shpesh sjell një ulje të aktivitetit fizik, me njerëzit që ecin më pak dhe janë më të pasivizuar. Kjo ulje e aktivitetit ndikon në humorin tonë dhe ndihmon në rritjen e dëshirës për ushqime të ëmbla, si çokollata, për të përballuar emocionet negative që mund të ndiejmë gjatë kësaj periudhe.
Ndryshimet në gjumë
Mungesa e dritës diellore rrit nivelin e melatoninës, substancë që ndihmon në rregullimin e gjumit. Kjo mund të çojë në ritme të çrregulluara të gjumit, duke ndikuar negativisht në metabolizëm dhe oreks. Një gjumë i keq ose i pamjaftueshëm rrit ndjeshëm rrezikun e shtimit të peshës.
Mungesa e vitaminës D
Një tjetër faktor i rëndësishëm është mungesa e vitaminës D, e cila është e lidhur ngushtë me rrezikun e shtimit në peshë. Vitamina D ndikon në ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe metabolizmin e glukozës. Mungesa e saj mund të nxisë rezistencën ndaj insulinës, duke çuar në rritje të sheqerit në gjak dhe depozitimin e yndyrës, duke e bërë humbjen e peshës edhe më të vështirë.