Protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, së bashku me organizatën “Përpjekja”, do të zhvillohet nesër në ora 13:00 para KEDS, duke përfunduar para Qeverisë së Kosovës.
Kjo protestë vjen si përgjigje ndaj paralajmërimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, një vendim që ka shkaktuar shqetësim të madh në mesin e qytetarëve.
Aktivistja Qëndresa Hyseni, në një intervistë për Ekonomia Online, ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në këtë protestë. Ajo ka bërë thirrje për një mobilizim të gjerë, duke e konsideruar këtë protestë si një mundësi për të shprehur kundërshtimin ndaj shtrenjtimit të rrymës, që ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të njerëzve.
“Protesta do të mbahet të premten dhe do të zgjasë dy orë. Fillon te ndërtesa e KEDS-it dhe vazhdon deri te Qeveria. Është e rëndësishme që çdo qytetar të ndjehet i ftuar të bashkohet me ne në këtë kauzë”, ka thënë Hyseni, duke theksuar se rritja e çmimit të energjisë është një çështje që prek të gjithë.
Hyseni ka shpjeguar se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ketë pasoja të rënda për cilësinë e jetës së qytetarëve. “Nëse çmimi i energjisë rritet me 20%, kjo do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në koston e jetesës dhe në standardin e jetesës së qytetarëve”, ka theksuar ajo.
Protesta e së premtes është vetëm fillimi i një serie veprimesh qytetare që do të pasojnë. Hyseni ka theksuar se kjo është një mundësi për të shprehur pakënaqësinë dhe për të kërkuar pezullimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë.
“Ne jemi të vendosur të vazhdojmë me aksione të tjera deri në realizimin e kërkesave tona. Protesta është për të gjithë qytetarët, dhe secili ka të drejtën të protestojë në mënyrën që e sheh të arsyeshme”, ka shtuar ajo, duke inkurajuar pjesëmarrjen e gjerë.
Një aspekt i rëndësishëm i kësaj proteste është se ajo nuk ka karakter partiak. Hyseni ka sqaruar se organizimi i protestës është bërë nga aktivistë të shoqërisë civile, dhe se nuk presin asnjë bashkëpunim me parti politike.
“Protesta është e organizuar nga një grup aktivistësh të shoqërisë civile. Ne jemi të fokusuar në kërkesat tona dhe nuk jemi të lidhur me asnjë parti politike”, ka përfunduar Hyseni, duke shprehur besimin se do të ketë një numër të mjaftueshëm qytetarësh që do të bashkohen në protestë nesër.