Misteri i përjashtimit të papritur të Kristit nga shtëpia e “Big Brother VIP” duket se po merr një tjetër rrjedhë.
Teksa produksioni nuk ka dhënë ende një arsye zyrtare pas leximit të Zarfit të Zi, në rrjet kanë nisur të qarkullojnë aludimet e para të forta.
Sipas vëzhgimeve të ndjekësve më besnikë të formatit, të cilët e kanë ndjekur transmetimin “Live” deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, një detaj konkret mund të ketë vulosur fatin e banorit.
Ata raportojnë se gjatë natës, Kristi është parë duke qëndruar shpesh dhe në mënyrë të dyshimtë pranë murit rrethues të shtëpisë.
Ky veprim ka ngritur menjëherë dyshime të mëdha se, në momentin kur kamerat kanë lëvizur apo janë fokusuar në ambiente të tjera, ai mund të ketë ndërmarrë sërish aktin ekstrem për të kaluar murin për herë të tretë.
Nëse kjo teori rezulton e vërtetë, ajo justifikon plotësisht ndërhyrjen e menjëhershme të “Vëllait të Madh” për të anuluar televotimin dhe për ta skualifikuar atë në vend.
Megjithatë, e vërteta e plotë që fshihet pas këtij largimi pritet të zbardhet zyrtarisht mbrëmjen e nesërme gjatë spektaklit “Prime”.
