Edona Llalloshi, e njohur për angazhimin e saj në muzikë dhe politikë, tani do të përfaqësojë dy komisione të rëndësishme në parlamentin e Kosovës.
Këngëtarja e njohur, e cila sapo ka siguruar mandatin e saj të dytë si deputete, ka shpallur me entuziazëm se do të jetë pjesë e Komisionit për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut.
“Qytetar të dashur, me rastin e rizgjedhjes deputete, dhe pas betimit, tani më lejoni të ju njoftoj se do të jem pjesë e dy komisioneve parlamentare: Komisionin për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe Komisionin për të Drejtat e Njeriut.
Angazhimi në komisionet respektive, me jep mundësi të angazhohem më shumë drejt realizimit të qëllimeve të mia politike.
Në Komisionin për Kulturë, Rini dhe Sport, fokusi im do të jetë në forcimin e politikave që mbështesin komunitetin artistik, artin dhe kulturën, si vlera të identitetit tonë kombëtar.
Ndërkaq, në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, angazhimi im do të përqendrohet në fusha të ndryshme veçanërisht, në parandalimin e dhunës në familje, barazinë gjinore, dhe rritjen e efikasitetit të organeve ligjzbatuese” shkruan Llalloshi në njoftim.
